Breshëria e plumbave në ekzekutimin e Glimando Danit mesditën e 11 nëntorit kanë prekur edhe makinën tip “Passat” të një qytetari që ishte i parkuar aty pranë.
Sipas fotos së siguruar nga deputetit demokrat, Besart Xhaferi automjeti i përkiste një anëtari të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, i cili ndodhej në makinë në momentin e atentatit, ndërsa priste nënën e tij që po kthehej nga Spanja me të njëjtin avion që vinin në Tiranë 47-vjeçari Gilmando Dani dhe 40-vjeçari Muçi Shaljani Sheqeri.
“Kam folur me të. Ka qenë brenda në makinë, është shumë i tronditur. Fatmirësisht ka shpëtuar, por imagjinoni çfarë t’i thuash një të riu pas kësaj ngjarjeje, që ka shpëtuar për fije, për disa centimetra. Makina e tij është goditur nga katër plumba. Falë Zotit nuk pati viktima të tjera, Zoti i shpëtoi njerëzit që ndodheshin aty pranë,” – deklaroi deputeti Xhaferi .
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit ‘Nënë Tereza’, teksa i plagosur rëndë ka mbetur edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ndaj automjetit të tyre ‘Benz’ u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë. Të dy ishin nisur me avion drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kishin lënë makinën të parkuar në aeroport, ndërsa u kthyen nga Barcelona më 11 nëntor. Avioni me të cilin udhëtonte Dani zbriti në tokën shqiptare në orën 13:55, rreth 35 minuta para orarit të planifikuar. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas në rrethrrotullimin e Rinasi.
