“Ajo që dhemb shumë në këtë histori, është marrëveshje me Greqinë. Berisha ka qenë disa herë kryeministër i Shqipërisë disa herë, por nuk ia doli të arrijë një marrëveshje për punëtorët shqiptarë që kanë qenë, kanë punuar e kontribuar, kanë mbajtur ekonominë e Greqisë, në harkun e viteve të tij. Edhe sot që e kishte mundësinë të fliste për këtë gjë, nuk e tha asnjë fjalë. Sepse për të shqiptarët e Greqisë, apo punëtorët shqiptarë të Greqisë, janë kundërshtarë. Janë njerëz që kanë votuar 90-95% PS-në.

Prandaj për ta nuk duhet folur. Kjo nuk është një histori pensionesh, por një çështje themelore e të drejtave të njeriut, e shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Greqi. Greqia s’ka asnjë të drejtë të mbajë atje kontributet e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve. Kur nuk u jep atyre asnjë shërbim. Konkurrojmë ne si vende fqinje edhe për informalitet. Greqia po shkel të drejtat themelore të shqiptarëve. Polakëve e rumunëve Greqia ua ka njohur sigurimet shoqërore. Si ka mundësi që Greqia kujtohet për të drejtat e shtetasve shqiptarë këtu në Shqipëri dhe nuk kujtohet për të drejtat e shtetasve shqiptarë në Greqi.

Me thënë të drejtën Sali, unë nuk hiqem, unë jam. Ashtu siç edhe ti Sali je. Të njohin shqiptarët, të njohin ndërkombëtarët, të njeh edhe drejtësia. Je njeri i famshëm Sali në këtë lëm. Por kjo që bën që një ditë thua një gjë, ditën tjetër thua një gjë tjetër, natyrisht që kjo na ndan. Unë nuk e bëj dot atë gjë. Unë them qartësisht atë që mendoj. Me këtë historinë e kësaj protestës, unë nuk e ndërroj qëndrimin si ty.

Në atë protestë ka shumë qytetarë, ashtu siç ka edhe përfitues politik. Janë banalë. Janë gjithmonë atje në atë protestë. Ashtu siç ka doemos njerëz që protestat duan t’i evidentojnë, t’i bëjnë më të mëdha seç janë. Janë edhe këta konspiracionistët konservatorë që sajojnë shitjen e një vendi, ashtu siç ka edhe të rreshtuar me ta, që i bësojnë të gjitha. Në fund ka edhe rrugeçër banalë, që nuk u vjen turp fare nga robt e tyre, kur shajnë robt e të tjerëve”, tha Braçe.