Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar zyrtarisht kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, me një kërkesë për përfshirjen e një debati 60-minutësh jashtë rendit të ditës në seancën plenare të sotme.

Në shkresën zyrtare drejtuar Kuvendit, PD shprehet se urdhri për mbledhjen e seancës, i lëshuar më 22 maj, bie ndesh me nenin 45 të Rregullores së Kuvendit. Ky nen parashikon që në fund të rendit të ditës, deputetët kanë të drejtë të ngrejnë çështje me rëndësi publike për një kohë totale deri në 60 minuta.

Sipas PD-së, respektimi i kësaj dispozite është thelbësor për garantimin e të drejtës së përfaqësimit parlamentar dhe nxitjen e debatit të hapur mbi çështje që prekin qytetarët. Tashmë pritet vendimi i Kryetares së Kuvendit nëse kjo kërkesë do të merret parasysh në seancën e sotme.

“Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që të ndryshohet rendi i ditës dhe të përfshihet si pika e tretë: diskutim jashtë rendit të ditës për 60 minuta,” thuhet në kërkesën zyrtare të PD-së.

“Znj. Kryetare e Kuvendit,
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është njohur me urdhrin tuaj nr. 16, datë 22.05.2025 “Për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, datë 29.05.2025, ora 12:00”, i cili ndër të tjera bie ndesh me nenin 45 të Rregullores së Kuvendit, ku theksohet se: “Në fund të rendit të ditës çdo deputet mund të diskutojë për çështje të ndryshme që ai i konsideron se duhen bërë publike në seancë plenare…. Koha e përgjithshme për diskutimin e këtyre çështjeve nuk mund te jetë më shumë se 60 minuta.”.
Për këtë arsye, në mbështetje me nenin 31 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që të ndryshohet Rendi i Ditës dhe të përfshihet si pikë e 3 e tij:
– Diskutim jashtë rendit të ditës për 60 min.
Përsa më lart, kërkojmë respektimin e nenit 45 të Rregullores së Kuvendit.
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE”, thuhet në shkresën dërguar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.

93a321fa 846a 47be 88b7 413d7f364f0b