Një aksident tragjik ka marrë jetën e një 43-vjeçari në aksin rrugor Maqellarë–Peshkopi. Automjeti që drejtohej nga Bledar Spahiu doli nga rruga dhe u përmbys disa metra më poshtë, duke u kthyer në një ngjarje fatale.

Përplasja ishte tepër e fortë dhe i shkaktoi Spahiut plagë të rënda. Fillimisht, ai u dërgua në spitalin rajonal të Dibrës, por për shkak të gjendjes kritike, u vendos transportimi i tij me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 43-vjeçari ndërroi jetë gjatë rrugës.

Bledar Spahiu, baba i dy fëmijëve dhe punonjës i repartit zjarrfikës në Dibër, po udhëtonte drejt Peshkopisë për t’u bashkuar me kolegët në përpjekjet për shuarjen e flakëve që kishin përfshirë Parkun Kombëtar të Lurës.

Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë forcat e policisë rrugore, të cilat po hetojnë shkaqet e aksidentit. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak mund të jetë bërë shpejtësia e lartë që ka tejkaluar normat e lejuara.