Kryeministri i vendit, Edi Rama ka folur sërish për projektin e Sazanit dhe Zvërnecit, duke i cilësuar si projekte të jashtëzakonshëm për ekonominë shqiptare. Gjatë fjalës se tij në një takim me komunitetin shqiptar në Staten Island, New Jork, Rama tha se Shqipëria po synon turizmin e vlerës, me qëllim sjelljen e më shumë përfitimeve ekonomike për popullin shqiptar.
Rama deklaroi se vetëm projekti në Zvërnec parashikohet të sjellë mbi 4 miliardë euro, duke theksuar se ekonomia shqiptare është rreth 27 miliardë euro. Më tej, ai theksoi se qeveria po studion edhe dëmin që këto projekte mund të sjellin në mjedis, duke hartuar një studim të plotë mbi risqet reale.
Edi Rama: Këtë synim ka projekti i shumëdiskutuar, projekti i famshëm, por edhe fatkeq për fat të keq, si rezultat i shumë gënjeshtrave, manipulimeve, denigrimeve. Projekti i Sazanit dhe Zvërnecit, një projekt që sjell vetëm në Zvërnec më shumë se 4 miliardë euro, në një ekonomi që në totalin e vet është 27 miliardë euro. Një projekt i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Është jashtëzakonisht delikat edhe në aspektin e ekuilibrit për mjedisin, prandaj ne po punojmë shumë për të pasur një studim për ndikimin dhe risqet në mjedis. Risqet reale dhe jo ato që prodhohen në rrjetet sociale nga sharlatanët e manipulatorët. Shpresoj që kur të vini në Shqipëri, kryepolici të na japë mundësi që të takohemi. Para se të vija këtu, më mori në telefon Dritani nga Mali i Zi, ish-kryeministri dhe miku im i shtrenjtë, i vetmi qytetar i botës në Ballkan, i cili më tha ‘shiko se atje ku po shkon, te ajo dallga shqiptare, ke edhe disa shkumë nga Ulqini. Kështu që shumë faleminderit.
