Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur të zgjerojë bojkotin ndaj Gjykatës së Posaçme, duke përfshirë tashmë edhe seancat për caktimin dhe shqyrtimin e masave të sigurisë.
Vendimi u mor këtë të mërkurë nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, pas përplasjes së krijuar me GJKKO-në lidhur me rregulloren e re për përdorimin e celularëve në sallat e gjyqit. Bojkoti i mëparshëm kishte prekur proceset gjyqësore, ndërsa masat e sigurisë ishin lënë jashtë tij.
Përshkallëzimi vjen edhe pas gjobave të vendosura ndaj disa avokatëve për mosparaqitjen në seanca gjatë bojkotit. Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, deklaroi se gjobat do të kundërshtohen në rrugë ligjore dhe, nëse mbeten në fuqi, do të mbulohen financiarisht nga Dhoma.
“Sa na vlen licenca jonë, nuk na vlejnë ato lekë që na bëjnë gjobë. Megjithatë, deklarimi është ky: dhoma, edhe në rast se do të qëndrojnë ato gjoba, do t’i përgjigjet financiarisht, do t’i mbulojë dhoma këto, pavarësisht se në mënyrë absolute është një vendim i padrejtë, por që ne do ta ndjekim në të gjitha instancat gjyqësore”, u shpreh Haxhia.
Sipas tij, vendimi për bojkotin është respektuar nga avokatët dhe GJKKO ishte vënë më herët në dijeni për qëndrimin e Dhomës. Haxhia kundërshtoi zbatimin e rregullores së gjykatës ndaj avokatëve, duke argumentuar se vendimet e Këshillit të Përgjithshëm janë të detyrueshme për anëtarët.
“Vendimet e këtij këshilli, në bazë të ligjit për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë, janë, si organi më i lartë, të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët e dhomës dhe nuk mund të prevalojë një rregullore, e cila jo vetëm është në kundërshtim me ato që ne parashtruam, por nuk është rregullore për ne edhe nga pikëpamja e hierarkisë”, deklaroi ai.
Haxhia tha gjithashtu se Dhoma e Avokatisë kishte kërkuar dialog me drejtuesit e GJKKO-së, por sipas tij nuk kishte marrë një përgjigje zyrtare nga titullarët e gjykatës. Ai pretendoi se argumentet e paraqitura nga Dhoma mbështeten në Kushtetutë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, jurisprudencën e Strasburgut dhe legjislacionin që rregullon profesionin e avokatit.
Kreu i Dhomës përmendi edhe qëndrimin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, për të cilën tha se ka shprehur mbështetje për shqetësimet e avokatëve. Kritika pati edhe ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilit Dhoma i është drejtuar për një takim lidhur me problematikat e krijuara.
Gjatë mbledhjes pati debate mes avokatëve për mënyrën se si duhej të përshkallëzohej bojkoti. Një pjesë kërkoi që masat e sigurisë të përfshiheshin menjëherë, ndërsa një tjetër propozim ishte që fillimisht të vendosej një bojkot i përgjithshëm për një periudhë deri në dy javë.
Avokatja Edlira Kola kërkoi masa më të forta, duke argumentuar se bojkoti i deritanishëm nuk kishte sjellë reagimin e pritur nga GJKKO.
“Mendoj se edhe ne duhet të marrim tani masa drastike, siç është ajo që të bojkotojmë seancat e masave të sigurimit. Besoj se ky mjet do të ishte efikas dhe do të kishim një reagim institucional nga kjo gjykatë”, tha Kola.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe një përfaqësuese e Dhomës së Avokatisë së Vlorës, e cila gjatë diskutimit deklaroi: “Po tallen me ne. Nuk po na marrin në konsideratë”.
Nga ana tjetër, një prej avokatëve kërkoi që përshkallëzimi të mos bëhej menjëherë, duke paralajmëruar për pasojat që mund të sillte përfshirja e masave të sigurisë.
“Nuk duhet të shkojmë te masat e sigurimit. Është një vendim ekstrem, që mund të ketë pasoja shumë të mëdha. Për të shkuar aty duhet të përdorim bojkotin e përgjithshëm në një afat të caktuar, jo më shumë se dy javë”, tha ai.
I njëjti avokat bëri të ditur se ndaj tij ishin vendosur katër gjoba nga GJKKO e Shkallës së Parë dhe kërkoi që mbrojtja ligjore ndaj tyre të bëhej në mënyrë kolektive.
“Unë sot kam gjobën e katërt që marr në GJKKO-në e Shkallës së Parë. Përpara një veprimi kolegjial, që është vendimi i Këshillit Kombëtar të Avokatisë për bojkotin, mbrojtja duhet të jetë kolektive”, deklaroi ai.
Në mbledhje u hodh edhe propozimi për tërheqjen nga GJKKO të listës së avokatëve që caktohen kryesisht për mbrojtjen e të pandehurve.
Në fund të diskutimeve, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që bojkoti të zgjerohet edhe te seancat për masat e sigurisë. Sipas raportimeve të publikuara pas mbledhjes, masa e re pritet të nisë nga e hëna dhe të zbatohet në GJKKO të Shkallës së Parë.
