Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot ndaj kritikave për rolin e mazhorancës në raport me drejtësinë dhe hetimet e fundit të SPAK. Në një deklaratë të mbajtur para Grupit Parlamentar të PS-së, Rama theksoi se qeveria e tij ka qenë dhe mbetet garant i një drejtësie të pavarur, duke kundërshtuar çdo pretendim se po ndërhyn në proceset hetimore.

“Ka nga ata që kërkojnë vetëm represion dhe asgjë tjetër, ndërkohë që ajo që unë kërkoj është një drejtësi e pavarur dhe evropiane,” u shpreh Rama, duke iu përgjigjur kritikëve si analisti Afrim Krasniqi. Sipas tij, akuzat për strategji elektorale për të minuar hetimet VIP janë spekulime të pabazuara.

Rama theksoi se rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës nuk ka ardhur për të shpallur pafajësinë e personave të vendosur nën masë sigurie, por për të garantuar vijimin normal të punës akademike. “As rektori nuk erdhi për të ngritur flamurin e pafajësisë për 24 personat e vënë në masa sigurie pa gjyq. Nuk jemi këtu për të vendosur kush është fajtor dhe kush i pafajshëm,” tha ai.

Kryeministri e cilësoi Partinë Socialiste si forcën e vetme që ka mundësuar një sistem drejtësie të pavarur në Shqipëri. “Po të mos ishte kjo parti dhe kjo mazhorancë, nuk do të shihnim kurrë hetime VIP në Shqipëri,” deklaroi ai, duke shtuar se PS ka qenë ajo që ka garantuar autonominë e institucioneve të drejtësisë, pavarësisht se kjo ka sjellë edhe hetime ndaj figurave të saj.

“Nuk mund të rrimë pa folur kur SPAK dhe GJKKO, institucione që ne i krijuam dhe i mbështetëm, po bëjnë punën e tyre,” vijoi Rama, duke theksuar se qeveria nuk ka ndërhyrë në punën e drejtësisë, por do të vijojë të mbrojë reformën që e ka mundësuar këtë proces.