Një aktivist shqiptar që ishte pjesë e flotiljes humanitare “Sumud”, e nisur për të dërguar ndihma në Gaza, është ndaluar nga autoritetet izraelite.
Bëhet fjalë për Baki Goxhajn, i cili sipas raportimeve është arrestuar në ujërat ndërkombëtare gjatë misionit humanitar të flotiljes.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila deklaron se është në dijeni të ngjarjes dhe se çështja po ndiqet përmes kanaleve diplomatike, me qëllim sigurimin e informacionit të plotë mbi rrethanat e ndalimit dhe respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar.
Ndërkohë, postimi i fundit i Goxhajt në Facebook është publikuar rreth 13 orë para arrestimit. Në një video të shpërndarë nga anija ku ndodhej, ai kritikonte bashkëpunimin e qeverisë shqiptare me atë izraelite dhe akuzonte Izraelin për dhunë të rëndë ndaj popullsisë palestineze në Gaza.
Postimi i plotë i Goxhajt:
Një nga faqet më të ndritura në historinë e Shqipërisë është mbrojta në bllok e hebrenjve kundër nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Çfarë i jep akoma më shumë peshë kësaj ngjarjeje është fakti që kjo ndodhi kur pothuajse të gjitha vendet europiane i mblodhën dhe i dorëzuan hebrenjtë e tyre tek nazistët.
Për mua si musliman shqiptar, kjo është në krye të listës së gjërave që më bëjnë krenar që jam shqiptar. Kjo vepër e mbajtjes së besës dhe njëkohësisht plotësimit të konceptit islam “kush shpëton një jetë është sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin”, do të jetë e pashlyeshme nga kujtesa historike e botës për shekuj me radhë.
Kjo vepër monumentale e paraardhësve tanë e bën Shqipërinë relevante në arenën ndërkombëtare kur vjen fjale për mbrojtjen e popujve të shtypur dhe korrigjimin e padrejtësive historike ndaj tyre. Për më tepër që ne i kemi hequr në kurriz padrejtësitë e shteteve të mëdha me copëtimin që u kanë bërë trojeve shqiptare.
Si popull i ngritur mbi këtë platformë historike, gjendemi sot para një realiteti absurd. Qeveria Rama ka zgjedhur ta injorojë gjithë trashëgiminë tonë historike dhe të bëhet bashkëpunëtore e ngushtë e regjimin famëkeq të Izraelit ndërkohë që ky regjim po kryen masakra të papërshkrueshme mbi një popullsi të tërë.
