Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të rënda penale ndaj atyre që ndërtojnë pa leje, si dhe ndaj punonjësve të shtetit që nuk i identifikojnë këto ndërtime.

Rama u shpreh se përfaqësuesit e shtetit duhet të marrin përgjegjësinë që u takon, ndërsa theksoi se policia ka detyrimin të verifikojë lejet e ndërtimit, dhe autoritetet bashkiake mbajnë përgjegjësi për kontrollin e situatës në terren.

Edi Rama:

Ndërtimet pa leje me javë e me muaj, në sy të të gjithëve dhe askush nuk i denoncon, kjo është bashkëfajësi, dhe për këtë do të ketë masa penale.

Njerëzit që përfaqësojnë shtetin nuk mund të luajnë me dy porta në këtë farë mënyre. Duhet të marrin përgjegjësi. Policia e shtetit nuk ka për detyrë të merret me lejet e ndërtimit apo me kontrollet e tyre, por do të ketë detyrimin të informohet nëse ka apo jo leje ndërtimi, kaq.

Nëse po respektohet leja, është çështje e policisë bashkiake. Ata janë përgjegjës për aktet e kontrollit, të cilat në shumë raste janë të gjitha për ndjekje penale, sepse firmosen sipas qejfit. Këto masa do të penalizojnë këdo që merr përsipër të hedhë firmë në shkelje të ligjit.