Prokuroria e Tiranës ka zbardhur mekanizmin e plotë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi më 6 tetor brenda sallës së gjyqit. Për herë të parë janë bërë publike edhe fjalët që janë konsumuar në sallë pak çaste para krimit.
Sipas dosjes hetimore, Gjon Shkambi xhaxhai i autorit të vrasjes i është drejtuar gjyqtarit me fjalët: “Po vërtetoj ato që ka thënë e gjithë Shkodra për ty, që ti je…” Pas kësaj, gjyqtari Astrit Kalaja i është përgjigjur: “Vazhdo ti, vazhdo…”
Në këtë moment, Elvis Shkambi, nipi i Gjon Shkambit, ka nxjerrë armën nga brezi dhe ka qëlluar me pistoletë disa herë drejt gjyqtarit, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja ka ndodhur brenda sallës nr. 3 të Gjykatës së Tiranës, në prani të disa personave të tjerë, përfshirë Ragip dhe Ervis Kurtajn, palë në proces.
Sipas dëshmisë së Ervis Kurtajt, ai ka tentuar të largohet së bashku me të atin, por autori ka qëlluar edhe në drejtim të tyre. Si pasojë, Ervisi është plagosur në krahun e djathtë, ndërsa Ragipi ka marrë plagë në brinjë.