Një organizatë kriminale shqiptare e përfshirë në trafik ndërkombëtar droge është goditur nga drejtësia belge, pasi anëtarët e saj u shpallën fajtorë për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës dhe kanabisit. Gjykata vendosi dënime që shkojnë deri në gjashtë vite burg, ndërsa urdhëroi edhe konfiskimin e mbi 3.1 milionë eurove pasuri të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Sipas mediave belge, hetimet nisën më 23 shkurt 2024, kur policia e Antwerpit mori informacion për një automjet BMW me targa rumune që dyshohej se përdorej për transport ndërkombëtar të drogës. Gjatë kontrollit të makinës, efektivët zbuluan mbi 2.2 kilogramë kokainë të fshehur brenda një furre me mikrovalë të modifikuar posaçërisht për këtë qëllim.
Zbulimi çoi në një operacion të gjerë hetimor, ku autoritetet mbajtën nën vëzhgim shtatë adresa të ndryshme, pesë në Antwerp, një në Brasschaat dhe një tjetër në Linter, në Brabantin Flamand. Gjatë survejimit u identifikuan tetë persona të dyshuar, të cilët u panë duke transportuar kuti dhe çanta me substanca kimike që dyshohej se përdoreshin në përpunimin e kokainës.
Në një prej objekteve, në rrugën Geuzenstraat, policia gjeti gjashtë qese mbeturinash me dhjetëra enë bosh që kishin përmbajtur produkte kimike të përdorura për larjen dhe përpunimin e drogës. Hetuesit zbuluan gjithashtu se furrat me mikrovalë nuk shërbenin vetëm për përpunimin e lëndës narkotike, por edhe si mënyrë për ta transportuar atë pa ngjallur dyshime.
Pas disa muajsh hetimesh, më 5 shtator 2024 u zhvilluan kontrolle të njëkohshme në disa banesa. Gjatë operacionit u zbuluan dy laboratorë të kokainës në Geuzenstraat dhe Linter, ku droga pastrohej, përzihej dhe përgatitej për treg. Brenda ambienteve u sekuestruan më shumë se 1,400 litra substanca kimike, 10 kilogramë kokainë dhe 23 kilogramë kanabis.
Nga provat e mbledhura, përfshirë telefona celularë, makina për numërimin e parave dhe dokumentacion financiar, autoritetet arritën në përfundimin se organizata kishte trafikuar rreth 191 kilogramë kanabis dhe afro 7 ton kokainë, me një qarkullim financiar të vlerësuar në rreth 147 milionë euro.
Edhe pse të gjithë të pandehurit mohuan akuzat dhe kërkuan shpalljen të pafajshëm, gjykata vendosi dënime me burg që variojnë nga 40 muaj deri në gjashtë vjet.
Dënimin më të rëndë e mori 35-vjeçari Arbri C., të cilin gjykata e konsideroi si një nga drejtuesit kryesorë të grupit. Sipas vendimit, ai koordinonte aktivitetin e organizatës, mbante kontaktet dhe mbikëqyrte bazat e ndryshme të operimit, edhe pse raportonte te persona të tjerë më lart në hierarki. Për këtë rol, ai u dënua me gjashtë vite burg dhe 48 mijë euro gjobë.
Ndërkohë, Arban D., 33 vjeç, i cili sipas hetimeve financonte shumicën e kontratave të qirasë për pronat e përdorura nga organizata, u dënua me pesë vite burg dhe një gjobë prej 40 mijë eurosh.
