Pas kërkesës urgjente të Bashkisë Pogradec, nga rezervat materiale të shtetit kanë mbërritur 50 pako ushqimore dhe 1 ton miell për banorët e prekur nga përmbytjet e rënda të ditëve të fundit.

Shpërndarja e ndihmave do të nisë që në mëngjesin e së dielës, me prioritet për familjet që u është dëmtuar rëndë banesa nga vërshimi i ujrave.

Sipas të dhënave më të fundit nga autoritetet vendore, në qytetin e Pogradecit 6 familje janë evakuuar plotësisht pasi banesat e tyre janë kthyer në të pabanueshme për shkak të dëmtimeve të rënda.

Për këto familje do të jepet jashtë radhe dhe me emergjencë bonusi i qerasë nga fondi i emergjencave civile, deri në rikonstruksionin e plotë të banesave të dëmtuara.


Ekipet e emergjencës dhe punonjësit e bashkisë vijojnë punën në terren për vlerësimin e dëmeve dhe shpërndarjen e ndihmave në zonat më të goditura.