Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka hequr nga faqja zyrtare listën e pajisjeve mjekësore që kërkoheshin në formën e donacioneve, pasi dokumenti u bë objekt debatesh dhe reagimesh në rrjetet sociale.

Në listën e publikuar disa muaj më parë përfshiheshin pajisje si respiratorë, laringoskopë, defibrilatorë, monitorë pacienti për matje invazive, elektrobisturi dhe shiringa elektrike. Publikimi i saj u përdor edhe nga protestuesit si argument për të denoncuar mungesën e investimeve në sistemin shëndetësor.

Pas polemikave, faqja ku ishte publikuar lista nuk është më e aksesueshme.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar nënkryetari i Komisionit për Shëndetësinë, Eduart Shalsi, i cili sqaroi se publikimi i nevojave për pajisje në platformën e donacioneve të QSUT-së është një procedurë e rregullt dhe e parashikuar me ligj, me qëllim garantimin e transparencës dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurisë publike.

Sipas Shalsit, lista ishte publikuar që në muajin shkurt dhe ndërkohë të gjitha pajisjet e kërkuara janë siguruar. Ai theksoi se këto nevoja mund të plotësohen ose përmes procedurave të prokurimit, ose përmes donacioneve, rast në të cilin pajisjet hiqen nga lista.

“Është një procedurë e rregullt. Njoftimi është vendosur në muajin shkurt dhe sot që flasim të gjitha ato nevoja janë plotësuar. Pajisjet mund të prokurohen ose, nëse ofrohen si donacion, hiqen nga lista. Debati duhet të fokusohet te përmirësimi i sistemit shëndetësor”, deklaroi Shalsi.