Poliçani vazhdon protestën kundër reformës administrative-territoriale që parashikon shkrirjen e Bashkisë Poliçan.
Kjo çështje ka bërë bashkë Këshillin Bashkiak, që unanimisht ka marrë vendimin për t’u dorëhequr, së bashku me kandidatën pasardhës në listë, nëse vendoset bashkimi i Poliçanit me Beratin.
Këshilli Bashkiak i Poliçanit u ka bërë gjithashtu thirrje 15 bashkive të tjera, të cilat sipas tyre rrezikojnë të preken nga reforma e re administrative, t’i bashkohen protestës, e cila pritet të vijojë përpara Parlamentit Shqiptar.
“Jemi kundër një reforme që kërkohet të bëhet me nxitim, brenda pak muajsh, ndërkohë që pasojat e saj mund të zgjasin me dekada. Kjo reformë rrezikon të ulë zërin, vëmendjen dhe mundësinë që ky komunitet të kërkojë atë që i takon”, tha një anëtar i Këshillit.
Sipas përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak, reforma do të sillte humbjen e vendeve të punës për shumë profesionistë dhe punonjës të administratës, shërbimeve dhe sektorëve të tjerë. Njëkohësisht, sipas tyre, një vendim i tillë do të zhvlerësonte vlerën e pronave dhe do të ndikonte negativisht në të ardhmen e qytetit.
Sipas protestuesve, sot ishte parashikuar që deputetët të takonin dhe të dëgjonin zërin e banorëve të Poliçanit, por, sipas tyre, asnjë prej tyre nuk u paraqit në qytet, ndërkohë që deputetët zhvilluan takime në tre bashki të tjera të qarkut.
“Besa është vota jonë, zoti Kryeministër. Ne ua dhamë besën juve, por ju nuk e mbajtët besën ndaj nesh. Ju bëjmë ftesë të vini dhe të uleni me popullin e Poliçanit, të dëgjoni zërin e qytetarëve. Ashtu siç keni thënë, zoti Kryeministër, ku jeni sot?”, u shpreh një protestues.
Banorët dhe përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak kanë paralajmëruar se kundërshtimi i tyre do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa protesta pritet të zhvendoset përpara Parlamentit Shqiptar, me thirrjen që 15 bashki të tjera t’i bashkohen kësaj nisme kundër reformës administrative-territoriale.
Top Channel
