Elbasan
Prokuroria kërkon për dy policët roje burg pa afat, dyshohen për vrasje e shpërdorim detyre
Dy policët e arrestuar pas vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit paraditen e së mërkurës në qytetin e Elbasanit dyshohet se janë bashkëpunëtorë në këtë masakër. Të paktën këto janë të dhënat e Prokurorisë së Elbasanit, e cila ka ngritur ndaj Sami Derstilës dhe Reshat Budanit akuzën e bashkëpunimit në vrasje, shpërdorim detyre dhe veprime arbitrare. Kërkesa është dorëzuar dje në mesditë në Gjykatën e Elbasanit, e cila do të vendosë sot për masën e sigurisë ndaj katër të arrestuarve për vrasjen e dyfishtë.
Prokurorët kanë dyshime se një rol në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit kanë dhënë edhe policët roje me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse këta persona kanë pasur kontakte telefonike me organizatorët dhe ekzekutorët e vrasjes. “Kemi dyshime konkrete mbi bashkëpunimin e policëve Sami Derstila dhe Reshat Budani në këtë ngjarje. Si ka mundësi që këta punonjës, që kanë pasur detyrë ruajtjen e banesës së familjes Beqiri apo për kontrollin e hyrje-daljeve nga apartamenti, të mos kishin asnjë dyshim se po ndodhte një ngjarje kriminale. Autorët kanë hyrë të qetë në këtë banesë, kanë rrahur për vdekje Nezir Beqirin, ndërsa fqinjët kanë dëgjuar zhurma në këtë apartament. Policët, jo vetëm që nuk e kanë parandaluar vrasjen e dyfishtë, por nuk kishte asnjë informacion”, pohojnë burimet nga akuza, e cila thotë se roli i policisë mund të jetë i njëjtë me atë të organizatorëve apo ekzekutorëve.
Ndërkohë, grupi hetimor pohon se krahas dy policëve roje do të kërkojë masën e arrestit me burg edhe për autorët e dyshuar Arben Jaçe dhe Florenc Çapja. “Kemi prova se këta persona janë autorët e dyshuar të vrasjes, me gjithë alibitë e familjeve të tyre. Ata kanë rol thelbësor në këtë ngjarje, që nga organizimi e deri tek vrasja paraditen e 15 gushtit. Kanë hyrë të pamaskuar në apartament dhe pasi kanë neutralizuar Nezirin, duke e goditur në mushkri, kanë vrarë në gjumë Gentianin, i paralizuar. Janë larguar po nga hyrja kryesore e pallatit, kanë përshëndetur punonjësit e policisë dhe janë larguar”, pohojnë burimet nga akuza, që saktëson se si provë në këtë ngjarje është edhe një automjet i gjetur i djegur në periferi të Elbasanit.
Burime të brendshme nga policia lokale bëjnë me dije se Arben Jaçe ka qenë person i akuzuar më parë për vrasjen e ish-efektivit të policisë Roland Rexhepi, i cili është ekzekutuar para banesës së tij në vitin 2009. Mësohet se 31-vjeçari ka bërë mbi një vit burg për vrasjen e ish-policit, i njohur ndryshe “Doda”, por në fund ka dalë i pafajshëm. Burime jozyrtare bëjnë me dije se Jaçe e ka hedhur organin e akuzës në gjyq për të kërkuar dëmshpërblim nga kjo e fundit për kohën që ka qëndruar në burg. Ky i fundit ka në pronësi të tij një servis motorësh pranë Unazës së Re në Tiranë. Edhe Florenc Çapja dyshohet që të jetë autori i një vrasjeje në vitin 2006.
Sipas policisë, kanë qenë policët roje Sami Derstila dhe Reshat Budani ata që kanë njohur ekzekutorët e dyshuar të Nezir dhe Gentian Beqirit. Paraditen e së mërkurës, Nezir dhe Gentian Beqiri janë ekzekutuar në banesën e tyre pranë lagjes “Çlirimi”. Paraprakisht dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n, Gentian Beqiri është akuzuar nga organi i drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çape, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Prej disa kohësh Gentian Beqiri ishte në arrest shtëpie për vrasjen e lartpërmendur dhe për pasojë ruhej nga dy punonjës policie, të cilët janë arrestuar nën akuzën e bashkëpunimit në vrasje dhe shpërdorim detyre. Vrasjet janë kryer në gjakftohtësi dhe dy efektivët rojë nuk e kanë kuptuar që ekzekutorët kanë kryer krimin. Ata e kanë marrë njoftimin vetëm pasi ka ardhur ambulanca.
Të dhëna
Kërkesa – Prokuroria ka kërkuar në gjykatë arrestin me burg për katër personat. Sipas tyre, ka prova për organizimin dhe ekzekutimin
Bashkëpunimi – Rol në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit kanë dhënë edhe policët roje me veprimet dhe mosveprimet e tyre. Akuzohen për bashkëpunëtorë
Ekspertiza – Nezir Beqiri nuk ka vdekur nga ataku kardiak, por nga plagët e shumta që ka marrë në trup. Ai është goditur disa herë në mushkëri
Dokumentet
Familja Çapja: Kemi filmimet të hotelit në Ohër
“Florenci ishte në Maqedoni, vërtetohet nga TIMS dhe pasaporta”
Familja Çapja ka hedhur poshtë çdo pretendim të prokurorisë në implikimin e Florencit në ngjarjen e 15 gushtit. Në një letër publike, të adresuar përfaqësive diplomatike, Presidentit dhe Kryeprokurores, thuhet se “Florenci, në datë 14, në orët e mbrëmjes është nisur drejt Maqedonisë së bashku me tre të afërm të tij, me qëllim që më datë 15 të shikonte mundësinë e blerjes së një kaldaje për shtëpinë e tij që ka nisur të ndërtojë”. Më tej alibia e tyre, që do të paraqitet sot në gjykatë, vazhdon se ai ka kaluar kufirin në orët e para të datës 15 gusht dhe pasi ka
kaluar kontrollet policore kufitare në Qafë Thanë, i akuzuari së bashku me tre persona të tjerë i janë drejtuar qytetit të Ohrit ku kanë qëndruar në hotelin “Royal Vien”, që ndodhet buzë liqenit të Ohrit. “Aty ka qëndruar një natë dhe të nesërmen e datës 15 është zgjuar dhe ka konsumuar mëngjesin në orën 8:29 minuta, fakt ky i dokumentuar edhe nga pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së këtij hoteli, i cili i kontaktuar drejtpërdrejtë nga avokati i familjes sonë, Ravik Gurra, ruhen me qëllim që të dorëzohen pranë organeve të drejtësisë në Elbasan”, pohojnë familjarët e Florencit, të cilët vazhdojnë se “djali i familjes sonë, pasi ka konsumuar mëngjesin në hotelin buzë liqenit në Ohër, ka shëtitur dyqanet që tregtojnë kaldaja dhe pasi ka kryer një gjë të tillë, ka pirë një kafe dhe rreth orës 12:00 të mesditës së datës 15 gusht, nën shoqërinë e tre të afërmve të tij ka nisur rrugën e kthimit për në Shqipëri nëpërmjet dy pikave kufitare nga ku kishte hyrë”. Pasi i ka kaluar ato rregullisht dhe ka hyrë në territorin shqiptar, vazhdon letra, në hyrje të qytetit të Elbasanit, makina në të cilën udhëtonte Florenci së bashku me tre të afërmit e tij është ndaluar në një postbllok në hyrje të Elbasanit dhe nga aty makina me të katërt personat është shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Elbasan nga ku janë mbajtur deri në orën 22:30 të katërt, por në fund policia dhe oficerët i kanë komunikuar Florencit se ishte autori i vrasjes që kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 15 gusht, kohë në të cilën ai ishte në shtetin fqinj Maqedoni. Sipas familjes, ky fakt dokumentohet nga sistemi kufitar TIMS dhe kamerat e sigurisë së hotelit dhe pikave kufitare që tregojnë qartë se Florenc Çapja ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria në kohë të dokumentuar dhe që nuk lidhet absolutisht me ngjarjen për të cilën akuzohet. “Për sa më sipër, duam t’ju kërkojmë vetëm transparencë për familjen Çapja, pasi për çdo ngjarje që ka ndodhur në Elbasan ka qenë e akuzuar padrejtësisht, por pas hetimeve dashakeqe të akuzës, gjykatat kanë dhënë vendime pafajësie ndaj të gjithë personave që ka akuzuar Prokuroria e Elbasanit”, thuhet në letër. Krahas medias, familja i drejtohet edhe personaliteteve më të larta shtetërore, ku thekson se “kush është ai shtet që nuk beson oficerët e tij, kush është ai shtet që nuk beson sistemin miliona USD që ka paguar për sigurimin e kufijve dhe nuk marrin për bazë hyrjet e daljet, vulat në pasaportë dhe filmimet kufitare, si dhe dëshmitë e dhënë nga menaxheri i hotelit ku ka qëndruar Florenci në kohën që në Elbasan kishte ndodhur ngjarja”.