Një 43-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Vlorë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një punonjësi të Policisë Bashkiake gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas njoftimit të Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë vunë në pranga shtetasin me inicialet M. L., banues në Vlorë, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:55 në rrugën “Mitaq Salati”, në lagjen “15 Tetori”. Burime zyrtare bëjnë me dije se konflikti nisi pasi ndaj automjetit të 43-vjeçarit u vendos një masë administrative për parkim të gabuar.

Në këto rrethana, shtetasi M. L. dyshohet se ka goditur fizikisht punonjësin e Policisë Bashkiake, S. N., 28 vjeç, banues në Vlorë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për vijimin e veprimeve ligjore për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.