Londër

Londra ka njoftuar dje se dy ushtarë, që ishin vrarë një ditë më parë nga policia lokale në pjesën jugore të Afganistanit, ishin nga Britania. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se të dy ushtarët ishin “qëlluar dhe vrarë nga pjesëtarët e forcës policore afgane”, në Lashkar Gah të provincës Helmand. Dje, forca e udhëhequr nga NATO-ja në Afganistan tha se sulmuesit ishin kryengritës të veshur me uniformë policie. Por, një zyrtar i lartë i sigurisë në Helmand më vonë ka thënë se ata ishin anëtarë të forcës policore të Afganistanit për afro një vit.


 


 


Deklarata


Pakistani, më aktiv  në luftën kundër terrorizmit


Senatori amerikan, Xhon Keri, i ka bërë thirrje Pakistanit, që të bëjë më tepër në eliminimin e bazave terroriste nga territori i vet. Një kohë të gjatë, Uashingtoni e ka akuzuar Islamabadin se po bën pak kundër militantëve me bazë në Pakistan, të cilët po ndërmarrin sulme në Afganistanin fqinj.


Duke folur në një dëgjim në Kongresin amerikan, Xhon Keri, tha se është “e papranueshme për të pasur zonë të imunitetit për akte të luftës” kundër forcave ndërkombëtare brenda në Afganistan.


Keri ka theksuar se Pakistani duhet të jetë “më kategorik dhe më bashkëpunues”, duke sugjeruar se do të ndërmerren masa të tjera, nëse konsiderohet se Islamabadi nuk po bën më tepër.