Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga Policia Kombëtare spanjolle ka çuar në goditjen e një organizate kriminale të përbërë nga shtetas shqiptarë dhe spanjollë, e cila dyshohet se merrej me kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në rajonin e Valencias.

Gjatë aksionit u arrestuan 14 persona, ndërsa autoritetet zbuluan disa plantacione të mëdha të marihuanës në ambiente të mbyllura. Po ashtu, u sekuestruan rreth 3 mijë bimë kanabisi, armë zjarri, dhjetëra mijëra euro cash dhe pajisje të sofistikuara të përdorura për kultivimin e drogës.

Sipas policisë, organizata kishte ngritur një rrjet të mirëorganizuar, duke përdorur sisteme moderne kultivimi dhe masa të shumta sigurie për të shmangur identifikimin nga autoritetet.

Hetimet nisën në janar, pasi policia vuri re disa shtetas shqiptarë duke transportuar pajisje të destinuara për ndërtimin e plantacioneve të kanabisit në ambiente të mbyllura në zonën e Xirivellës. Verifikimet zbuluan se disa prej tyre kishin qenë më herët objekt hetimesh për veprimtari të ngjashme.

Sipas autoriteteve, anëtarët e grupit ndryshonin vazhdimisht automjetet me qira, zëvendësonin personat që ruanin plantacionet dhe lëviznin shpesh nga një zonë në tjetrën për të mos lënë gjurmë. Ata kryenin gjithashtu udhëtime të shpeshta mes Murcias dhe Gironës për të zgjeruar aktivitetin dhe për të gjetur ambiente të reja për kultivimin e drogës.

Nga hetimet rezultoi se drejtuesit e organizatës jetonin në vila dhe zona luksoze. Kreu i grupit banonte në një rezidencë në Serrë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij më të afërt ishin vendosur në La Pobla de Farnals dhe Moncofa. Në të kundërt, personat që kujdeseshin për plantacionet jetonin në kushte shumë të vështira brenda objekteve ku kultivohej droga.

Autoritetet zbuluan gjithashtu se grupi shqiptar kishte krijuar një aleancë me një rrjet shtetasish spanjollë, të njohur më parë për trafik droge. Sipas hetuesve, të dy grupet kishin ndarë qartë rolet dhe bashkëpunonin si një strukturë e vetme kriminale, duke kombinuar burimet financiare, teknologjinë dhe logjistikën për të rritur fitimet dhe për të minimizuar rreziqet.

Gjatë operacionit, policia identifikoi disa objekte të përdorura për aktivitetin kriminal, përfshirë një godinë industriale në Benifaió, një magazinë në Llíria, dy banesa në Benaguasil ku ruhej droga dhe një vilë në Alginet.

Hetimet u përshpejtuan pas një incidenti të ndodhur në fillim të korrikut, kur një konflikt mes grupeve rivale për kontrollin e drogës degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit në një plantacion në Llíria. Pas ndërhyrjes së Gardës Civile u zbulua një plantacion me 450 bimë kanabisi, me peshë rreth 380 kilogramë, si dhe gëzhoja armësh zjarri. Në momentin e kontrollit nuk u gjet asnjë person në vendngjarje.

Për shkak të rrezikut të arratisjes së të dyshuarve dhe mundësisë së hakmarrjeve mes grupeve kriminale, autoritetet vendosën të zhvillonin menjëherë bastisjet e planifikuara.

Në total u kryen shtatë kontrolle të njëkohshme në qytete të ndryshme të Komunitetit Valencian, ku u çmontuan tre plantacione të mëdha të kanabisit, mes tyre edhe një makro-plantacion i pajisur me teknologji të avancuar dhe me 2.763 bimë në fazë të avancuar rritjeje.

Operacioni përfundoi me sekuestrimin e rreth 3.000 bimëve të marihuanës, 12.000 fidanëve, 30 kilogramëve kanabis të gatshëm për treg, 11 gramëve kokainë, 87.800 eurove cash, dy armëve të zjarrit me municion, dy automjeteve të përdorura nga organizata dhe një sasie të madhe pajisjesh për kultivimin e drogës.

Në operacion morën pjesë edhe njësitë speciale GOES, UIP, UPR, Njësia Ajrore dhe repartet e qenve të Policisë Kombëtare spanjolle.