Rikonstruksioni
Institucioni i Presidencës i është nënshtruar tërësisht rikonstruksionit. Bashkë me ish-punonjësit do të largohet nga ky institucion gjithçka që ka qenë krijim i ish-presidentit Bamir Topi. Përveç pllakave, dyerve, parketeve e infrastrukturës së përgjithshme, krerët e rinj në Presidencë kanë vendosur të zhdukin edhe pemë, lule e fije bari. Madje për rikonstruksionin dhe rregullimin e institucionit i është kërkuar ndihmë edhe policisë bashkiake, e cila ka vendosur pak kohë më parë në dispozicion një fadromë për të gjitha shërbimet që urdhërojnë drejtuesit e Presidencës.
Përveç pjesës së brendshme të institucionit është menduar të rehabilitohet tërësisht edhe pjesa e jashtme, duke përfshirë pemët, lulet dhe bimët e tjera dekorative.
Dyert e këtij institucioni janë mbyllur dhe nuk mund të shihet asgjë, pasi posterat “gënjeshtarë” pengojnë pamjen e shkallëve, punonjësve të sigurisë, ushtarëve e gjithçka tjetër deri në rehabilitimin e plotë të institucionit. Përveç anës “fizike” të rezidencës presidenciale, në rehabilitim e sipër ndodhen edhe burimet njerëzore. Të fundit të larguar nga stafi i Topit, janë drejtoresha ekonomike, drejtori i parkut të automjeteve, si dhe shefi i teknologjisë, IT. Të gjitha vendimet për largimet dhe rregullimet infrastrukturore mbajnë firmën e sekretarit të përgjithshëm të emëruar së fundmi nga Presidenti Bujar Nishani.