Qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” për ditën e katërt të protestës për Zvërnecin.

Gjatë protestës ka pasur përplasje mes qytetarëve dhe policisë dhe është çarë kordoni.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi se masat e sigurisë të vendosura në Bulevard nuk kanë lidhje me protestën e paralajmëruar nga qytetarët, por me organizimin e ndeshjes Shqipëri-Izrael.

Sipas tij, gardhi metalik dhe kufizimet në zonë janë pjesë e planit të sigurisë të hartuar për zhvillimin e takimit sportiv dhe janë masa standarde që aplikohen në çdo ndeshje me nivel të lartë sigurie.

“Njoftimin e kemi bërë që në mëngjes. Kjo pjesë është zonë sigurie për ndeshjen Shqipëri-Izrael dhe për këtë arsye nuk do të lejohet kalimi. Janë masa që vendosen në çdo ndeshje dhe nuk do të ndryshojnë për shkak të aktiviteteve të tjera”, deklaroi kreu i Policisë.

Deklarata u bë pak para nisjes së protestës së qytetarëve, ndërsa në zonën përreth institucioneve kryesore janë shtuar masat e sigurisë dhe prania e forcave të rendit.