Ylli Zalla ka deklaruar në seancën e sotme gjyqësore se është vetëdorëzuar dhe se po priste ardhjen e forcave të policisë.

“Jam vetëdorëzuar. I prisja që të vinin. Isha aty afër”, ka deklaruar Zalla.

Ai ka akuzuar Policinë e Shtetit dhe strukturat vendore të Tiranës dhe Krujës, duke pretenduar se është futur në hasmëri me të gjithë zonën dhe se forcat e policisë kanë synuar ta vrasin.

“Policia e Shtetit, Policia e Tiranës dhe e Krujës më kanë futur në hasmëri me gjithë zonën dhe duan të më vrasin”, ka deklaruar ai në sallën e gjyqit.

Zalla u arrestua më 17 gusht në Krujë, pas një operacioni policor, ndërsa sot gjykatat e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest me burg.

Kjo masë sigurie u kundërshtua nga avokati i tij Dritan Gina, me pretendimin se ai nuk paraqet rrezikshmëri të lartë, pasi është dorëzuar vetë.