Policia e Lezhës ka ofruar një shpërblim prej 10 milionë lekësh për cilindo që jep një informacion të saktë për vendndodhjen e autorit të vrasjes së trefishtë, një natë më parë në Blinisht të Lezhës, i cili sipas policisë është 47-vjeçari Kastriot Zhupa.


Lidhur me këtë, Policia e Lezhës ka vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit 0694106434, për të gjithë personat që ofrojnë informacione të vlefshme lidhur me vrasësin që vijon të jetë ende i lirë 24 orë pas ngjarjes së rëndë.


Ai dyshohet si autori i krimit makabër të ndodhur natën e mbrëmshme në fshatin Blinisht të Lezhës, ku u gjetën të pajetë të vrarë me armë zjarri pranë banesës së tyre tre anëtarët e familjes Shtjefni, dy prindërit dhe djali i tyre, përkatësisht Rrok, Miranda dhe Fatjon Shtjefni.


Policia deklaroi se ka qenë fqinji i tyre, Kastriot Zhupa i cili në gjendje të dehur, pas një konflikti të çastit ka marrë armën automatike dhe e ka zbrazur mbi tre familjarët, duke i lënë të tre të vdekur në vend. Pas këtij momenti, Zhupa është larguar menjëherë në drejtim të paditur, ndërsa policia vijon ende kërkimet për të.

25 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)