Policia Rrugore e Shkodrës ka shtuar kontrollet në të gjitha rrugët e qarkut, në kushtet e rritjes së ndjeshme të lëvizjeve gjatë sezonit veror.
Për monitorimin e qarkullimit dhe identifikimin e shkeljeve janë përdorur dronë, radarë dhe automjete inteligjente, me fokus kryesor parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë në rrugë.
Nga data 30 korrik deri më 6 gusht 2026, efektivët e Policisë Rrugore kanë vendosur gjithsej 1223 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Sipas të dhënave të Policisë, 471 masa janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë, 329 për ndalim ose qëndrim të parregullt, 72 për parakalime të gabuara dhe 57 për drejtim të mjeteve pa kaskë mbrojtëse. Ndërkohë, 28 drejtues janë ndëshkuar për drejtim nën efektin e alkoolit, ndërsa 266 masa të tjera lidhen me shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Gjatë së njëjtës periudhë, një drejtues mjeti është arrestuar dhe një tjetër është proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit. Gjithashtu, një leje drejtimi është pezulluar.
Kontrollet janë përqendruar veçanërisht te drejtuesit që drejtojnë nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të rrezikshme apo përdorin xhama të riveshur, shkelje që sipas Policisë ndikojnë ndjeshëm në rritjen e rrezikut për aksidente.
Policia Rrugore e Shkodrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, me përdorimin e mjeteve teknologjike për monitorimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore.
