Mohohet zyrtarisht nga policia: S’ka ndodhur. Është kompetencë e bashkisë jo e jona
Shpresa Mezini
Mesditën e djeshme, tek ish-Blloku, e njohur si zona më e nxehtë e kryeqytetit, për shkak të larmishmërisë së kafeneve, lokaleve të natës, por edhe të rinjve që e frekuentojnë, Policia e Shtetit ka urdhëruar pronarët e lokaleve të lirojnë trotuaret nga tavolinat dhe karriget. Aksioni ka filluar diku rreth orës 14.00 të së djeshmes, ku një grup policësh të shtetit, kanë trokitur derë më derë në lokalet, e pozicionuara tek ish-Blloku, duke u kërkuar stafit të kamerierëve, të thërrisnin pronarët, në rastet kur nuk ishin prezentë, për të larguar në mënyrë urgjente tavolinat dhe karriget, që ndodhen në trotuare e rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve, por edhe të këmbësorëve.
Një urdhër i tillë ka shtangur pronarët e bizneseve, të cilët u kanë komunikuar policëve të Policisë së Shtetit se kanë marrë leja nga Bashkia e Tiranës, duke qenë se sipas tyre, ajo ka tagrin ligjor, për t’u dhënë leje ose për të zbrazur trotuaret dhe jo Policia e Shtetit. Praktikisht, edhe referuar ligjit, kompetencën ligjore për ndërmarrjen e aksioneve të tilla, që ndalojnë uzurpimin e zonave publike, e ka Policia Bashkiake dhe jo ajo e Shtetit, pavarësisht se dje, çuditërisht, ka ndodhur e kundërta. Pronarët e disa lokaleve tek ish-Blloku, bëjnë me dije për gazetën Shqip se në bisedë e sipër, duke qenë se nuk kanë pranuar të heqin tavolinat, me urdhër të një strukture jo kompetente, në këtë drejtim, policët e Policisë së Shtetit i janë kundërpërgjigjur duke i thënë se nuk u intereson leja e policisë bashkiake dhe se ishin aty për të hequr tavolinat dhe karriget, pas ankesave të qytetarëve, në adresën e tyre.
Mirëpo, përtej këmbënguljes së policëve të Policisë së Shtetit, për të hequr çdo karrige që ndodhej janë ambienteve të brendshme të lokalit, pronarët nuk e kanë zbatuar urdhrin, duke i rezistuar qëndrimit të tyre, deri në pikën e fundit. Përballë kësaj rezistence, policët janë larguar duke theksuar se nëse nuk i binden urdhrit, do t’ua heqin me forcë.
Ndërkohë, e pyetur nga gazeta “Shqip”, për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, Alma Katragjini, zëdhënëse e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, mohon që të jetë zhvilluar një kontroll i tillë. “Policia e Tiranës nuk ka ndërmarrë asnjë aksion të tillë, pasi ndërhyrje të këtij lloji, nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit, por e Policisë Bashkiake.
E ndërsa Policia e Shtetit mohon zyrtarisht një ngjarje të ndodhur në mes të ditës, në sy të të gjithëve, burime zyrtare në Bashkinë e Tiranës sqarojnë për Shqip se nuk janë në dijeni të organizimit të një kontrolli të këtij lloji nga ana e Policisë së Shtetit.
“Policia Bashkiake nuk është në dijeni të ngjarjes së ndodhur dje, por ajo që dimë me siguri është se Policia Bashkiake ushtron kompetencat e saj në përputhje me ligjin, detyrë, që do të ishte mirë, ta respektonin edhe strukturat e tjera shtetërore, në funksion të detyrës që ato kanë. Policia Bashkiake ka ndërhyrë në rastet, kur është vërejtur uzurpim i zonave publike dhe do të vijojë kontrollet për të mos lejuar që kjo të ndodhë. Vitin e kaluar kemi liruar trotuaret dhe rrugët e bllokuara nga tavolinat e karriget e lokaleve, ndërsa për ato subjekte, që janë të papajisura me leje nga organet tatimore, janë marrë masa deri në sekuestrimin e objekteve, siç mund të jenë tavolina etj”, shpjegojnë burime zyrtare në Bashkinë e Tiranës, lidhur me aksionin e djeshëm të Policisë së Shtetit, për të hequr tavolinat dhe karriget, që janë pozicionuar në mes të rrugëve, në zonën e ish-Bllokut.