Vëzhgimi i “Fiks Fare” në tri qytete. Problem edhe pagesat
Makinat e Policisë së Shtetit mbeten pa karburant. “Fiks Fare” i është rikthyer sërish mungesës së karburantit për lëvizjen e mjeteve të Policisë së Shtetit. Këtë radhë emisioni investigativ ka denoncuar mungesën e karburantit jo vetëm në komisariatet e policisë së kryeqytetit, por edhe në Pukë e Fushë-Krujë.
Policët, përveçse po përballen me mungesën e karburantit për lëvizje, nuk po paguhen edhe për orët shtesë, madje në disa rrethe nuk kanë marrë ende uniformat e reja.
Dy punonjës të policisë së burgjeve, gjatë bisedës me gazetarët e “Fiks Fare”, kanë treguar se përveç pagës së ulët kanë edhe problemin e transportit. Sipas tyre, drejtuesit e institucioneve ku ata punojnë u vendosin mjete transporti në dispozicion vetëm një muaj para fushatave elektorale. Ndërsa për uniformat as që bëhet fjalë për t’i marrë të gatshme nga ana e shtetit, sikurse e parashikon ligji. Ata tregojnë se gjithçka e blejnë vetë.
Pukë
Fillimisht gazetarët kanë udhëtuar në Pukë, duke mësuar nga punonjësit e policisë së këtij qyteti se “policia lëviz në këmbë, pasi nuk ka karburant”. Sipas tyre, ky problem ka muaj që është i njohur. Vetë punonjësit e policisë detyrohen të furnizojnë makinat e komisariatit me karburant nga xhepi i tyre. Edhe këta punonjës policie vuajnë mungesën e uniformave. Gjatë ndeshjes së futbollit të Tërbunit, në stadium kishte shumë policë civilë, të cilët detyrohen ta kryejnë shërbimin pa uniformë, pasi gjysma e punonjësve të policisë së këtij qyteti nuk janë pajisur me uniformë.
Krujë
Të njëjtin problem kanë edhe punonjësit e policisë së Krujës. Një efektiv i policisë së këtij qyteti tregoi për “Fiks Fare”, se prej dy vjetësh nuk u janë paguar orët shtesë. Ata dalin në punë jashtë orarit, përveç ditëve të shërbimit, edhe tri ditë në javë, për të siguruar rendin dhe qetësinë në tri ndeshje që zhvillohen në stadiumin “Kastrioti”, ku luajnë ekipet e futbollit të Laçit, Kastriotit dhe Ilirisë.
Tiranë
Në kryeqytet gjendja vazhdon të jetë e njëjtë. Makinat e policisë qëndrojnë të mbyllura në oborret e komisariateve, pasi nuk ka karburant që të patrullojnë. Këtë na e konfirmojnë disa punonjës policie të Komisariatit Nr. 1, Nr. 2 dhe Nr. 6 në kryeqytet.
Sipas tyre, “makina ka plot policia, por nuk ka benzinë për t’i vënë në punë”.
Një efektiv i Komisariatit Nr. 2 të Policisë së Tiranës tregon se policët shpeshherë e kryejnë shërbim duke ecur në këmbë, pasi nga ky komisarit vetëm dy makina dalin në shërbim, në një kohë që janë 15 makina në këtë komisariat.
Ndërsa disa prej punonjësve të policisë së Komisariatit Nr. 6 në Tiranë dalin në shërbim me makinat e tyre private, pasi sipas tyre, mungon karburanti.
Policia Bashkiake e Tiranës
Kamerës së emisionit “Fiks Fare” nuk i kanë shpëtuar as inspektorët e policisë bashkiake të kryeqytetit. “Fiks Fare” një ditë më parë ka transmetuar pamje të disa inspektorëve të policisë bashkiake të Tiranës, të cilët në ambientet e QSUT “Nënë Tereza”, u kërkonin karburant punonjësve të spitalit, për të ushtruar kontrolle të përditshme dhe për të larguar tregtarët ambulantë nga trotuaret e ambienteve të brendshme të qendrës spitalore.
Një kërkesë, e cila është pranuar nga ana e punonjësve të spitalit, madje njëri prej tyre ka sugjeruar që karburanti t’u merrej ambulancave dhe t’u jepej inspektorëve të policisë bashkiake, me qëllim që ata të heqin tregtarët ambulantë nga ambientet e QSUT-së.
Regjistrimet
Biseda e punonjësve të QSUT me inspektorët e policisë bashkiake të Tiranës
Njëri nga punonjësit e spitalit – Po vjen ky kapurali.
Punonjësi i spitalit 1 – Ja ka ardh’ këtu bashkia e do karburant, hiqja ambulancave e jepua.
Punonjësi i spitalit 3 – Sa litra të duhen?
Polici i Bashkisë 2 – Që të vija me makinë këtu?
Punonjësi i spitalit 3 – Po pra sa litra do, që makina të vijë këtu, të shkojë atje, të vijë këtu, të shkojë atje?
Punonjësi i policisë bashkiake 1 – Për pesë ditë.
Punonjësi i spitalit 3 – Po pra, për pesë ditë, dhjetë ditë.
Punonjësi i policisë bashkiake – Ne s’po na i nxjerrin makinat se nuk ka karburant. Janë makinat atje të bllokuara.
Punonjësi i spitalit 2 – Ky është një problem madhor këtu te ne, është turp i Zotit.
Shoku për karburantin a kupton apo jo, nëse do 15 – 20, të gjithë do të sakrifikojmë.
Polici bashkiak 2 – Mirë e rrite o vlla pse e ule? Ti mirë e rrite, ç’pate që e ule?
Punonjësi i spitalit 2 – Ne e kemi të ndarë, ne punojmë kështu.
Policia bashkiake 2 – Thashë se do të thuash 50 litra.
Punonjësi i spitalit 2 – Edhe atë do ta rregullojmë, ja të flas me shefin.
Polici bashkiak 1 – Se duhet një çikë naftë, duhet se është bërë problem i madh. Dal te “Fiksi” një herë në dy ditë, vijnë e filmojnë…
Bisedë me punonjës të policisë së burgjeve
Polici – Mbrëmë deri në 11:30 te kryqëzimi. Të dielën mbrëma, dhe vinin makinat e mbushme deri në orën 11.00. Kam hipur në një makinë deri te Rruga e Elbasanit.
Fiksi – Si ka mundësi?
Polici – Për ne nuk është duke pyetur kush, kur ka nevojë të shfrytëzojnë në maksimum, të shfrytëzon sa të shfrytëzon e të hedh në rrugë të madhe dhe je i pambrojtur.
Fiksi – Po tani s’ka naftë a çfarë dreqin ka?
Polici – Po a i mbarohet nafta ndonjëherë shtetit. S’ka naftë thotë, kur i mbarohet nafta shtetit, po privatit?
Fiksi – Po për zgjedhje gjen?
Polici – Po për zgjedhje ka një herë, një muaj para se të bëhen votimet na venë makinën.
Fiksi – Po, po, po.
Polici i dytë – 20 prill u vu vitin e kaluar deri më 15 maj.
Polici – Ça nuk ba vaki.
Fiksi – Për votime i vunë?
Polici – Po për votim e kemi të sigurt për votime.
Fiksi – Sa ju paguajnë neto?
Polici – 220 euro në muaj. 300 mijë lekë bëhen e nuk bëhen ato. Nuk të njeh asgjë më.
Fiksi – Orë shtesë?
Polici – Çfarë orë shtese, as ditë shtesash. Bën orë shtesë e ditë shtesë. Me ligj e kemi 22 ditë punë, asnjë ditë më tepër, ne bëjmë 24–25. Edhe punë më e vështirë me kriminelë që kanë bërë vrasje e çfarë nuk kanë bërë e ne dalim me armë në brez, duke u nxjerrë dorën makinave. Se në cilin hipim e lëvizim nuk dimë gjë ma ne.
Fiksi – Ka pasur raste që u keni qëndruar gjithë natën?
Polici dytë – Po..
Polici – Po, ka pas raste që i kanë futur policët nëpër parcela.
Fiksi – Çfarë flet, me ju marr pistoletën?!
Polici – Pistoletën s’e kanë pasur me vete.
Fiksi – E kanë futur në parcelë me i marrë pistoletën?
Polici – Po, ore.
Fiksi – E tmerrshme.
Polici – E kanë futur në mes të arës, e kanë lënë atje në orën 11:30 të natës.
Fiksi – Po trajtimet e tjera i keni të paktën, uniformat ua japin?
Polici i dytë – I blejmë në dyqan.
Polici – Të tëra i blejmë.
Polici i dytë – Që te këpucët e deri te kapelet.
Polici – Të tëra i blejmë edhe këmishat i blejmë, magazinat janë bosh, asgjë në ta nuk ka.
Bisedë me një punonjës policie në Pukë
Fiksi – Si ka mundësi kaq pak policë në këtë ndeshje?
Polici – Ka policë, por gjysma e tyre janë pa uniforma, pasi nuk i kanë marrë, se nuk ka shteti.
Fiksi – Keni karburant?
Polici – Është krizë, nuk ka në asnjë vend, duke e fut benzinën me shishe.
Bisedë me një punonjës policie në Krujë
Fiksi – Lekët e orëve shtesë i merrni këtu?
Polici – Jo, asnjë lek, vijmë dy orë para këtu e katër mbrapa, gjashtë orë. Ne na mbyti edhe Laçi këtu. Ka dy vjet që s’kena marrë asnjë kokërr. Gjashtë orë, tri herë në javë.
Fiksi – Po më përpara i keni marrë?
Polici – Para dy vjetësh po. Sport Laçi këtu, sport Kruja këtu, sport Fushë-Kruja, ne ngelëm në sport gjithmonë… Tri ekipe, a mbahen tri ekipe? Tri ndeshje në javë!
Fiksi – Merrni ndonjë lek të paktën?
Polici – T’i marrësh lekët po se ne për lekë po vijmë. S’të jep lekë.
Bisedë me një punonjës policie në Komisariatin Nr. 6 të policisë së Tiranës
Fiksi – Pse nuk lëvizin makina ça…?
Polici – Lëvizim me makinën tonë.
Fiksi – Private ëëë? Po pse këto?
Polici – Nuk ka karburant ore vëlla. Dy makina dalin gjithsej, nuk ka karburant.
Fiksi – Po lekë karburanti s’ju japin fare këta?
Polici – A don mu tall aaa..
Bisedë me një punonjës policie në Komisariatin Nr. 1 të Policisë së Tiranës
Fiksi – Nuk keni makina apo nuk keni naftë ju?
Polici – Makina ka sa të duash, po nuk ka benzinë.
Bisedë me një punonjës policie në Komisariatin Nr. 2 të Policisë së Tiranës
Polici – E s’kena as benzinë.
Fiksi – Policia ëëë? Si nuk ka benzinë shteti, çfarë flet?
Polici – Shteti ka vdekur, ka mbaruar.
Fiksi – Gjynah, në këmbë këta të shkretët?
Polici – Në këmbë përditë. Dy makina dalin në punë, 15 makina janë.