Evidentohen 560 raste të ndërtimeve pa leje në të gjithë Shqipërinë, për të cilat janë proceduar penalisht 563 persona. Këto shifra i përkasin periudhës kohore 25 gusht deri më 10 korrik të këtij viti. Ndërkohë, për personat që konstatohen se kanë ndërtuar objekte pa leje në tokë publike, shtetërore apo tokë të tjetrit, është marrë masa e arrestit në flagrancë. Ndërsa shtetasit e tjerë do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Të dhënat bëhen të ditura nëpërmjet një deklarate për shtyp të Policisë së Shtetit. Më tej thuhet se dy ditë më parë janë proceduar penalisht 12 persona, të cilët nga verifikimet e kryera, janë konstatuar se kanë ndërtuar objekte në mënyrë të paligjshme, ndërsa në 2 prej rasteve është marrë masa e arrestit në flagrancë. Vetëm në Qarkun e Tiranës janë evidentuar 147 raste të ndërtimeve pa leje, ku edhe janë proceduar 145 persona. Një tjetër qark, i cili ka pasur një numër të konsiderueshëm të ndërtimeve pa leje, është ai i Durrësit, me 79 të tilla. Më pas renditen qarqet e Elbasanit, Fierit, Korçës, Vlorës etj. Të gjitha këto aksione janë ndërmarrë me synim parandalimin e goditjen e krimit mjedisor dhe në mënyrë të veçantë ndërtimeve abuzive.