Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me incidentin e 5 tetorit në Tiranë, ku gazetari Bledi Mane u sulmua, duke bërë me dije se po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas Policisë, strukturat përkatëse po kryejnë veprimet procedurale për të përcaktuar rrethanat e incidentit, identifikuar personat e përfshirë dhe referuar materialet pranë Prokurorisë, në përputhje me procedurat ligjore.

Në deklaratën e saj, Policia e Shtetit dënon çdo formë dhune, kërcënimi apo intimidimi ndaj qytetarëve, ndërsa thekson se e drejta për protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta.

Megjithatë, sipas uniformave blu, kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në mjet për kërcënimin apo sulmin ndaj personave të tjerë për shkak të bindjeve apo qëndrimeve të tyre.

“Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë. Zbatimi i ligjit është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të shtetit”, thuhet në reagim.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin përplasjet dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. Në rast se ndihen të kërcënuar apo të kanosur, qytetarët ftohen t’u drejtohen strukturave të Policisë, duke garantuar se çdo kallëzim do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin.

Në përfundim, Policia e Shtetit thekson se do të garantojë sigurinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre.

“Policia e Shtetit do të mbrojë njësoj qytetarin që proteston dhe qytetarin që mendon ndryshe. Liria e protestës, liria e shprehjes dhe siguria e çdo qytetari garantohen nga ligji dhe do të mbrohen pa asnjë dallim”, përfundon deklarata.