Një aksion i përbashkët i Policisë Kufitare të Sarandës, Policisë Bashkiake të Ksamilit dhe forcave “Shqiponja” ka çuar në largimin e 14 moleve detare në Ksamil, të cilat prej vitesh shërbenin për ankorimin e mjeteve lundruese.

Ndërhyrja u zhvillua në kuadër të zbatimit të vendimit të Këshillit Bashkiak të Sarandës për reduktimin e numrit të korridoreve ujore në zonën bregdetare të Ksamilit. Sipas autoriteteve, aksioni është zhvilluar pa incidente, ndërsa pronarët e mjeteve lundruese kanë bashkëpunuar me strukturat përgjegjëse.

Paralelisht me këtë operacion, në Sarandë është bllokuar dhe sekuestruar një anije, për të cilën dyshohet se dispononte dokumentacion të falsifikuar. Pas verifikimeve fillestare, mjeti lundrues është shoqëruar në Portin Detar të Sarandës, ku po i nënshtrohet procedurave administrative dhe penale.

Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet në vijën bregdetare do të vijojnë edhe në ditët në vijim.