Myftinia e Shkodrës ka reaguar ashpër pas ndërhyrjes së policisë për heqjen e një tabele me përmbajtje fetare nga oborri i Xhamisë së Madhe “Ebu Bekr”. Në një deklaratë të publikuar, Myftinia e ka cilësuar këtë akt si një “provokim të papranueshëm”, që bie ndesh me frymën e paqes dhe harmonisë fetare që ka karakterizuar gjithmonë qytetin e Shkodrës.
Në deklaratë thuhet: “Në këtë atmosferë të shtrenjtë dhe të paprekshme, Myftinia Shkodër dënon çdo akt dhune, shkeljeje flagrante dhe denigrimi të pronës private dhe simbolikave tona të shenjta. Kush prek xhaminë, prek harmoninë e qytetit!” Myftinia shprehu shqetësimin se ky veprim ka cenuar vlerat dhe respektin për vendet e shenjta, duke i quajtur veprime të papranueshme që nuk i shërbejnë bashkëjetesës paqësore mes komunitetesh. Tabela mbante mbishkrimin profetik “kush grabit padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë tokë, Allahu në ditën e Kiametit ka për t’i varur në qafë shtatë palë tokë”.
Në reagimin e saj, Myftinia gjithashtu bëri një kujtesë historike për 16 nëntorin e vitit 1990, ditën e rikthimit të lirisë fetare në Shkodër, kur myslimanët dhe të krishterët u bashkuan për të rikthyer lirinë e besimit pas dekadave të diktaturës. Ky moment, sipas Myftinisë, është një simbol i unitetit dhe paqes ndërfetarë që ka karakterizuar gjithmonë qytetin.
Në fund të deklaratës, Myftinia e Shkodrës njoftoi se dosja e ngjarjes do t’i përcillet institucioneve përkatëse dhe falënderoi të gjitha komunitetet fetare, deputetët, mediat dhe shoqërinë civile për mbështetjen e shprehur pas incidentit. Reagimi i Myftinisë reflekton një shqetësim të thellë për ruajtjen e harmonisë dhe paqes ndërfetarë në Shkodër, duke u distancuar nga çdo akt që mund të cënojë këtë frymë.
