Tre shtetas shqiptarë kanë përfunduar në prangat e autoriteteve në Itali, pasi dyshohet se ishin të përfshirë në një rrjet të organizuar të trafikut të drogës.

Sipas mediave italiane, gjatë operacionit policor janë sekuestruar rreth 5 kilogramë kokainë, të ndara në dy pako prej 2.5 kg secila, me një vlerë tregu që arrin të paktën në 300 mijë euro.

Hetimet tregojnë se të tre personat ishin takuar për të realizuar një shkëmbim të drogës, moment në të cilin janë ndërhyrë forcat e rendit. Dy prej të arrestuarve, të moshës 32 dhe 34 vjeç, rezultojnë me precedentë penalë, ndërsa i treti, 50 vjeç, nuk kishte histori të mëparshme kriminale.

34-vjeçari, banues në Padova, ishte dënuar më herët me katër vite burg, pasi në vitin 2021 u kap me mbi një kilogram marijuanë në një furgon, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu gjet edhe gjysmë kilogrami kokainë.

Ndërkohë, 32-vjeçari, që jetonte në zonën e Selvazzano Dentro, kishte një të kaluar të ngarkuar me vepra të lidhura me narkotikët. Ai kishte përfunduar vetëm pak javë më parë një periudhë arresti shtëpiak, pas një dënimi prej dy vjet e tetë muajsh për posedim kokaine. Më herët, në vitin 2022, ai ishte arrestuar për transportimin e sasive të mëdha të drogës, përfshirë rreth 12 kilogramë hashash dhe marijuanë, si dhe mbi 7 kilogramë kokainë.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar lidhjet e mundshme të këtij grupi me rrjete më të gjera të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.