Kapen në Tiranë 100 kilogramë hashash që vinte nga Lazarati
Policia e Tiranës, gjatë një komunikimi për mediat, bëri të ditur detaje shtesë të operacionit antidrogë të zhvilluar gjatë së premtes në kryeqytet. Sipas policisë, sasia prej 100 kilogramë lëndësh narkotike, e dyshuar si hashash, kishte si destinacion shpërndarjen në Tiranë. Ndërsa bëhet e ditur se ngarkesa vinte nga Lazarati. Sektori kundër narkotikëve dhe trafiqeve në Policinë e Tiranës arrestoi në flagrancë pesë shtetas për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, tre prej të cilëve janë nga Rrësheni, dy nga Saranda dhe një tjetër nga Tirana. Të arrestuarit janë: Arjan Kolaj, Eduart Gjonaj, Kristina Gjonaj, Fatjon Dedaj, Bardhok Arapi, Gjok Dedaj. Sipas policisë, bashkëpunëtorë janë edhe dy persona të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim. Policia bën të ditur se nga Policia e Tiranës ka nisur edhe hetimi pasuror i të arrestuarve, në bazë të Ligjit antimafia. “Arrestimi i këtyre shtetasve u bë, pasi më datë 27 korrik, në orën 18:00, në aksin rrugor Durrës–Tiranë, në Maminas, janë kapur ne flagrancë me një sasi prej 100 kg, e ndarë në paketime, brenda së cilave kishte bimë të dyshuar narkotike me erë dhe me karakteristika si ajo e Cannabis Sattiva-s. Lënda narkotike vinte nga Lazarati, me destinacion më pas shitjen dhe tregtimin e saj në Tiranë. Përgjatë momenteve të kapjes së tyre, shtetasit e sipërcituar kanë bërë rezistencë ndaj forcave të policisë, duke i kundërshtuar me dhunë dhe në tentativë për t’u larguar me automjet. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100 kg bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sattiva, 5 telefona celularë, së bashku me kartat sim dhe tre automjete” tha policia.