Poliçan


Me makinë me xhama të zinj, Kushtrim Guri shoqëron kortezhin


Policia e ka shoqëruar me civilë dhunuesin e kufomës së Dervishit dhe më pas ka deklaruar arrestimin e tij


Mimoza Haxhialiu


Policia ka lejuar që dhunuesi i kufomës së rojës së kombinatit të Poliçanit të marrë pjesë në varrimin e vëllait dhe më pas ka deklaruar zyrtarisht arrestimin e tij. Edhe pse dy ditë më parë u deklarua se Kushtrim Guri është lokalizuar dhe kapur, zyrtarisht rezulton i prangosur vetëm pas varrimit të njërit prej dy viktimave, pikërisht vëllait të tij, Vladimir Guri, i cili ishte edhe shefi i sigurisë teknike. Madje, gjatë shoqërimit për në varreza, ai ka lëvizur me një makinë me xhama të zinj, i shoqëruar nga punonjës policie civilë, që e ruanin, me qëllim që të mos arratiset. Ndërkaq, ngjarja merr nota më të rënda, pasi dyshohet se Vladimir Guri ishte me precedentë penalë dhe se e kishte fituar vendin e punës, pikërisht për aktivizimin e tij pranë LSI-së që, sipas opozitës, kjo forcë politike drejton kombinatin e Poliçanit.


Ngjarja e dy ditëve më parë la të shokuar qytetin, ndërsa hapi plagë “hasmërie” midis dy familjeve Guri dhe Dervishi. Gjatë mbrëmjes së krimit dhe paradites së djeshme, në të dyja shtëpitë ka shkuar për lamtumirën e fundit pothuajse i gjithë qyteti. Në familjen Guri janë parë edhe punëtorët e kombinatit, ndërkohë në familjen e Shpëtim Dervishit ata e kanë pasur tepër të vështirë të shkojnë për ngushëllim. Shumë prej qytetarëve janë shprehur se ende ndihen të frikësuar. Ankthi i ngjarjes nuk kishte kaluar ende. Nga vetë banorët mësohet se gjatë gjithë natës, në shtëpinë e Vladimir Gurit ka qenë i pranishëm edhe vëllai i tij, i cili nga vetë agjentët e policisë u deklarua se ishte i arrestuar. Madje, Kushtrim Guri ka shoqëruar kortezhin për në varreza dhe gjatë gjithë kohës ka qëndruar në një makinë me xhama të zinj. Varrimi i vëllait të tij u krye në orën 11:00 të ditës së martë dhe kjo e gjitha ndodhi nën hundën e policisë dhe FNSH-së, të cilët e kanë mbajtur të rrethuar këtë qytet.



Ndërsa në familjen Dervishi kryheshin ritet e fundit mortore, mësohet se kjo familje vuante, përveç dhimbjes, edhe ndjenjën e kërcënimit. Shpëtim Dervishi, babai i dy djemve, jetonte në varfëri, e vetmja e ardhur ishte paga modeste e tij, që mbante familjen, ndërsa njëri prej djemve ishte në shkollën e lartë dhe tjetri ende pa punë. Të brengosur nga dhimbja, familja Dervishi vuante ankthin dhe frikën e fjalëve të përhapura. Banorët, të cilët kanë shoqëruar fillimisht Gurin për në banesën e fundit, sapo janë kthyer nga ky varrim, janë bashkuar për në varrimin e Dervishit. Ndërkohë, pak kohë më vonë, policia ka deklaruar zyrtarisht se ka arrestuar Kushtrim Gurin, i cili dhunoi kufomën e Dervishit. Sipas policisë, në momentin e krimit, kur Dervishi ka vrarë veten, ka rënë në njërën anë. Në këto kushte, vëllai i viktimës tjetër, ka menduar se ai ishte ende gjallë dhe e ka goditur me sëpatë, duke i këputur kokën.


 


 


Reagimet


Deputeti Braçe hedh akuza edhe për LSI-në mbi masakrën


“Horrori në Poliçan, Imami të japë dorëheqjen”


“Kombinati i Poliçanit nuk është një ndërmarrje tregtare, por një repart ushtarak. Dhunimi i repartit e më pas i kufomës në prani të ushtarakëve nuk është një akt i rastësishëm. Si deputet në Qarkun e Beratit, e njoh shumë mirë gjendjen në atë repart, ndaj ju them se kombinati i Poliçanit është një vatër krimi, shumë e madhe madje!” Kështu ka deklaruar deputeti i PS-së, Erjon Braçe, i cili ka vazhduar me akuzat e tij, duke deklaruar se atje vidhet, trafikohet dhe përfitohet në mënyrë të paligjshme. “Atje ka përfitues politikë. Ky është kompromisi: bëni votat dhe vidhni. Politikisht kombinatin e drejton LSI-ja! Lulëzim Gojka është drejtori në konflikt të hapur interesi me demontimin dhe metalet e përfituara prej tij. Ai është eksponent i LSI-së. Lëvizja e punëtorëve, një vit e gjysmë më parë, ishte në funksion të zgjedhjeve vendore dhe objektivit të LSI-së për të fituar me dhunë Bashkinë Poliçan dhe Komunën e Vërtopit, ku kandidonte vëllai i Lulit, Guximi i famshëm. Heqja e punëtorëve në një vend tejet të varfër është thelbi i konfliktit. Pra, menaxhimi i një reparti ushtarak, kështu kërkon përgjegjësi. Përfshirja në krim e një reparti ushtarak si në Poliçan kërkon përgjegjësi. Dhunimi i kufomës në sy të ushtarakëve si në Poliçan kërkon përgjegjësi. Si deputet edhe i Poliçanit, i kërkoj ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, të bëhet burrë e të japë dorëheqjen me ngjarjen më makabër të ndodhur në një repart ushtarak, që pas Gërdecit. I kërkoj Kryeministrit të shkarkojë drejtorin e kombinatit, Lulëzim Gojka, si dhe të nisin hetimet për veprimtarinë ekonomike e kriminale në këtë repart”, ka deklaruar deputeti Braçe.