Një sasi tritoli është gjetur pranë një hoteli jashtë funksionit në Durrës, në pronësi të ish-kreut të Bashkisë, Vangjush Dako.
Lënda shpërthyese ishte e lidhur me një telefon celular dhe për neutralizimin e saj u kërkua ndihma e forcave xheniere nga Tirana, të cilat kryen një shpërthim të kontrolluar.
Zona përreth hotelit në Lagjen 1 u rrethua dhe u evakuuan banorët e turistët, për të garantuar sigurinë. Kjo lagje është një nga më të vjetrat dhe më të frekuentuarat e qytetit bregdetar.
NJOFTIMI:
-Në lagjen nr. 1, Durrës, në hyrje të një ndërtese (ish-hotel, jashtë funksionit), në një nga vazot e luleve është gjetur një sasi e dyshuar lëndë plasëse, dyshohet artizanale. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të RENEA-s, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e llojit të lëndës së gjetur, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
-Spitali Rajonal Durrës ka njoftuar se është dërguar pa shenja jete një shtetase 57-vjeçare me shtetësi kineze, e cila është gjetur në një taksi, pranë “Urës së Dajlanit”. Grupi hetimor po vijon veprimet për këqyrjen e trupit të 57-vjeçares, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave.
Për të dyja rastet, grupet hetimore po kryejnë veprimet nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.