Një tjetër rast shkeljeje të sigurisë është regjistruar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Drenovë, ku gjatë një kontrolli të zhvilluar rreth një javë më parë, janë sekuestruar një sasi e vogël lënde narkotike, e dyshuar si kanabis sativa, si dhe një telefon celular.

Sipas burimeve të besueshme, telefoni është gjetur në dhomën e një të dënuari me inicialet Xh. L., i cili ndodhet në regjim të sigurisë së lartë. Por ajo që ka ngritur shqetësim të madh te autoritetet është dyshimi se telefoni mund të jetë në pronësi të Laert Haxhiut, një prej të dënuarve më të njohur për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale dhe që aktualisht ndodhet në të njëjtin burg.

Të gjitha sendet e paligjshme janë sekuestruar, ndërsa Prokuroria ka nisur një hetim të thelluar për të verifikuar jo vetëm pronësinë reale të telefonit, por edhe nëse janë realizuar komunikime të paligjshme prej tij.

Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje në ditët në vijim.