Një operacion antidrogë i zhvilluar në Devoll ka përfunduar me arrestimin e dy të rinjve, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme me lëndë narkotike.
Në pranga kanë rënë H.C., 28 vjeç dhe Sh.D., 27 vjeç, të cilët janë ndaluar nga policia teksa udhëtonin me një automjet në një rrugë dytësore që lidh një fshat me aksin rrugor Korçë-Bilisht. Në momentin e ndërhyrjes, automjeti drejtohej nga 28-vjeçari, ndërsa 27-vjeçari ndodhej në sediljen e pasagjerit.
Sipas policisë, pak para ndalimit, nga automjeti dyshohet se është hedhur një qese që përmbante lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Pas arrestimit, kontrollet janë shtrirë edhe në banesat e dy të rinjve. Gjatë kontrollit në banesën e H.C. janë gjetur fara të dyshuara të bimës narkotike.
Të dy të arrestuarit dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
