Protestuesit vijojnë të jenë të shpërndarë në disa zona të kryeqytetit, ndërsa efektivët e policisë kanë mbërritur mbrëmjen e sotme në rrugën “Myslym Shyri”, ku kanë shoqëruar disa prej tyre.
Dita është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Si pasojë, janë raportuar të lënduar si nga radhët e protestuesve, ashtu edhe të efektivëve të policisë.
Gjatë incidenteve, protestuesit kanë hedhur gurë, molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome.
Situata është përshkallëzuar edhe më tej pas zjarreve të regjistruara në Gjykatën e Lartë dhe në institucione të tjera, duke e kthyer protestën në një ditë të mbushur me incidente dhe përplasje në disa zona të Tiranës.
