Ish-specialisti i skuadrës operacionale të Policisë së Shtetit, Jeton Lami, i dënuar me 2 vite e 10 muaj burg për transportimin e Ervis Martinajt, ka thyer heshtjen 1-vjeçare duke folur para gjykatëses së Lezhës, Alda Sadiku. Ai ka pretenduar se është i pafajshëm dhe se sipas tij nuk ka “Shpërdoruar detyrën” teksa shoqërohej me Ervis Martinajn.
“…Në kuadër të ushtrimit të detyrës unë kisha dijeni zyrtare që ndaj shtetasit Ervis Martinaj është vendosur masa “arrest në burg”, në mungesë, në datën 17 Maj 2022. Në dosjen gjyqësore të prokurorisë, nuk ka asnjë provë shkresore apo me dëshmitarë që të provojë se Jeton Lami ka dijeni zyrtarisht dhe në formën e kërkuar nga ligji…”, është shprehur Jeton Lami në mbrojtjen e tij.
Sipas ish-specialistit të skuadrës operacionale “Fast”, detyra funksionale e tij, ka qenë ajo e ndalimit të personave, të cilët kërkoheshin nga shtete të tjera për qëllime ekstradimi apo të dënimeve që ata kanë marrë në shtetet jashtë Shqipërisë. Më tej në mbrojtje Lami është shprehur se policia nuk i kishte ngarkuar ndonjë detyrë për të arrestuar Ervis Martinajn.
“…Unë kurrë nuk kam marrë një detyrë nga shefat e mi për arrestimin e Ervis Martinajt dhe kurrë nuk i jam shmangur çdo detyre që më është ngarkuar gjatë kohës që isha pjesë e policisë…”, ka pretenduar Jeton Lami. Pavarësisht këtyre deklaratave, gjykata e Lezhës në muajin maj vendosi të dënojë Jeton Lamin me 2 vjet e 10 muaj burgim.
Gjithashtu, për një periudhë 5-vjeçare, Jeton Lami nuk do të ketë të drejtë të punësohet dhe të mbajë poste në administratën publike. Sipas hetimeve, ish-polici, ishte njeriu i fundit që ka shoqëruar të kërkuarin Ervis Martinaj, midis datave 5 dhe 6 gusht të vitit 2022. Lëvizjet e fundit të Martinaj nën shoqërinë e Jeton Lamit janë identifikuar në ambientet e hotel “Continenal” në Durrës dhe te Kastrati në Vorë.
Më pas Martinaj është larguar nën shoqërinë e një automjeti tjetër në zonën e Shijakut dhe pikërisht në këtë zonë humbin të gjitha gjurmët e tij. Por gjatë kërkimeve për të mësuar fatin e Ervis Martinaj, policia dhe prokuroria zbuluan se transportues dhe prenotues i hoteleve ku qëndronte Martinaj, ishte punonjësi i policisë, Jeton Lami.