Policia e Shtetit ka përditësuar informacionin zyrtar lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, rreth orës 15:00.

Sipas saktësimit të të dhënave, si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një person, drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Ndërkohë, janë dëmtuar 12 pasagjerë dhe jo 15 siç u raportua fillimisht. Nga të lënduarit, 7 ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime më të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet bëjnë me dije se konfuzioni në raportimet e para u krijua për shkak të situatës së rënduar në vendngjarje dhe transportimit të të lënduarve në disa spitale, përfshirë institucione publike dhe private.

Gjithashtu, një fëmijë i cili fillimisht u raportua si viktimë pasi mbërriti pa shenja jete në spital privat, është rikthyer në jetë nga ekipi mjekësor përmes reanimimit dhe më pas është transportuar në Spitali Universitar i Traumës, ku ndodhet nën kujdes intensiv.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.

Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.

Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.