Policia e Vlorës ka reaguar pas publikimit të disa videove në rrjetet sociale, ku shfaqen efektivë brenda ambienteve të Universitetit “Ismail Qemali”.
Sipas policisë, ndërhyrja u krye pas një njoftimi nga administratori i universitetit, i cili raportoi se një grup prej 30 deri në 40 personash po pengonte zhvillimin normal të mësimit në katin e parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 11:51. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë kanë mbërritur në fakultet dhe kanë ndërhyrë për të larguar personat që, sipas autoriteteve, pengonin studentët të ndiqnin leksionet në auditore.
Në vijim të veprimeve, janë shoqëruar gjashtë shtetas, të dyshuar si organizatorë të grupimit. Policia bën me dije se po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave.
Ndërkohë, pamjet e ndërhyrjes janë publikuar edhe nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka kundërshtuar praninë e policisë në ambientet universitare.
“Universiteti nuk është kazermë dhe auditorët nuk janë prona e policisë politike të Edi Ramës. Duart larg universiteteve, larg duart nga liria akademike! Frika e pushtetit nuk do ta mposhtë dot guximin e rinisë”, shkroi Bardhi.
