Tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë janë regjistruar përpara Kryeministrisë, ku studentë dhe qytetarë vijojnë tubimin e tyre duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Efektivët e policisë u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve të lirojnë rrugën dhe të mundësojnë qarkullimin e automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Megjithatë, protestuesit nuk e kanë pranuar kërkesën e autoriteteve, duke deklaruar se ndodhen në një tubim dhe se nuk kanë ndërmend të largohen pa u përmbushur kërkesa e tyre.

“Jemi në tubim, deri kur të largohet Rama”, janë shprehur qytetarët përballë efektivëve të policisë.

Pavarësisht thirrjeve për lirimin e rrugës, pjesëmarrësit kanë vijuar të qëndrojnë përpara godinës së Kryeministrisë, duke këmbëngulur në kërkesën për largimin e kreut të qeverisë.

Protesta vazhdon në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa qytetarët shprehen të vendosur të mos tërhiqen nga qëndrimi i tyre.