Policia e Veronës ka shkatërruar një bandë hajdutësh të përbërë nga katër shtetas shqiptarë, të moshës 25–28 vjeç, të specializuar në vjedhje të shpejta në banesa. Vjedhja e fundit e dokumentuar nga autoritetet ndodhi më 19 dhjetor, kur dy banesa në qytet u grabitën. Nga shtëpitë u vodh një kasafortë që përmbante bizhuteri dhe para të gatshme.

Të dyshuarit u arrestuan ndërsa po ktheheshin në bazën e tyre, me sendet e vjedhura ende në automjet. Arrestimi erdhi pas disa javësh ndjekjeje dhe mbikëqyrjeje, që çuan në identifikimin e mjetit të përdorur nga autorët. Sipas policisë, hajdutët vepronin me saktësi dhe shpejtësi, duke mos qëndruar më shumë se 15 minuta në çdo banesë. Ata përdornin gjithmonë të njëjtën mënyrë veprimi dhe mjete profesionale për të hapur me forcë dyert dhe kasafortat.

Gjatë kontrollit të banesës së tyre jashtë qytetit, policia sekuestroi sende të tjera me vlerë dhe para të gatshme. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e pronarëve dhe kthimin e sendeve të vjedhura tek poseduesit e ligjshëm.