389 të rinj dhe të reja i janë bashkuar Policisë së Shtetit pas përfundimit të kursit për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë.

Në ceremoninë e diplomimit, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u ka përcjellë efektivëve të rinj mesazhin se uniforma e policisë nuk është privilegj, por një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe vendit.

Lamallari theksoi se puna e tyre nuk lidhet vetëm me zbatimin e ligjit, por edhe me mbrojtjen e jetës dhe pronës, si dhe me krijimin e besimit te qytetarët.

“Besimi fitohet çdo ditë në rrugë, në lagje, në një komisariat, në një situatë të vështirë”, u shpreh ministri.

Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për një polici moderne dhe profesionale, e cila jo vetëm reagon ndaj krimit, por punon për parandalimin e tij.

Sipas Lamallari, modernizimi i Policisë së Shtetit nis që në formimin profesional të punonjësve, ndërsa përdorimi i teknologjisë dhe pajisjeve të reja duhet të shoqërohet me ndryshim të mënyrës së qasjes ndaj sigurisë publike.

Ministri u kërkoi efektivëve të rinj të ruajnë integritetin dhe të mos lejojnë që uniforma të përdoret për interesa personale.

“Uniforma e Policisë së Shtetit nuk ju jep privilegje, por vetëm përgjegjësi”, deklaroi Lamallari, duke u bërë thirrje të rinjve të jenë të fortë përballë krimit, të drejtë përballë ligjit dhe njerëzorë me qytetarët.

Në ceremoninë e zhvilluar në Akademinë e Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u tha efektivëve të rinj se busulla e tyre duhet të ketë tre drejtime: ligjin, shërbimin ndaj qytetarëve dhe amanetin e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

“Po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin”, u shpreh Hita.

Të 389 të rinjtë nisin tashmë detyrën në Policinë e Shtetit, pas përfundimit të formimit profesional në Akademinë e Sigurisë.