Sulm i brendshëm


Një grua me uniformë të policisë afgane vrau një këshilltar civil amerikan në selinë qendrore të policisë në Kabul. Besohet se ky është rasti i parë i një “sulmi të brendshëm” në Afganistan, kryer nga një grua. Atentatorja është arrestuar. Në një incident tjetër, pesë policë afganë u vranë nga një koleg i tyre në veriun e vendit.


Infiltrimi i talebanëve në strukturat e sigurisë së Afganistanit ka qenë problemi kryesor i hasur nga forcat e Nato-s gjatë viteve të fundit. Me qindra ushtarë të huaj apo vendës kanë humbur jetën si pasojë e atentatorëve që fillimisht janë regjistruar si policë apo ushtarë. Në sulmin e ditës së djeshme, zyrtarët afganë bënë të ditur se oficerja e polivisë kishte shkuar në kërkim të shefit të përgjithshëm të policisë së vendit në zyrat qendrore, të cilat janë gjithashtu edhe të siguruara rëndë.


Këshilltari amerikan besohet se rastisi në korridor kur gruaja e njohur me emrin Nargis, e vrau atë me pistoletë. Ky atentat forcon edhe një herë pyetjen nëse trupat e Nato-s janë në gjendje të punojnë me forcat afgane pasi të tërheqin forcat luftuese përgjatë dy viteve të ardhshme. Pas vitit 2014 perëndimorët do të mbajnë në këtë vend vetëm këshilltarë dhe ekspertë trajnues. Por sulme të tilla e vënë në dyshim faktin nëse një strategji e tillë është e vlefshme.


Më shumë se 50 trupa të Nato-s janë vrarë këtë vit nga njerëz me uniformë të ushtrisë apo policisë afgane. Kjo e detyroi Nato-n të ndalojë patrullimet e përbashkëta me trupat vendëse. Disa nga sulmet u kryen nga të infiltruarit e talebanëve, të tjerë nga afganë të zemëruar nga kolegët e tyre të huaj. Shumë shpesh, motivi i sulmit mbetet i paqartë.


Ndërkohë, në veri të Afganistanit, po dje, një polic vendës vrau pesë kolegë të tij. Zyrtarët thanë se polici u arratis pasi hapi zjarr për t’u bashkuar me talebanët dhe mori edhe armët e kolegëve të tij me vete. Forcat policore të Afganistanit rekrutohen nga fshatrat dhe shpesh janë ish kryengritës. Një zëdhënës i Talebanëve i deklaroi BBC se atentatori i verit pati qenë i infiltruar prej tyre.