Një aksident tragjik ka ndodhur pas mesnate në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e përplasjes me një automjet tip Porsche. Ngjarja është regjistruar rreth orës 01:30 në bulevardin “Ismail Qemali”, pranë një marketi.

Përplasja fatale ka ndodhur kur makina, e drejtuar nga Haiti Bajramaj, një 32-vjeçar nga Vlora, ka goditur motorin që drejtohej nga Leandro Shametaj, i cili ishte vetëm 17 vjeç. Pas aksidentit, i riu është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, por përpjekjet e mjekëve për ta shpëtuar nuk kanë mundur të bëjnë të mundur mbijetesën e tij.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se Haiti Bajramaj mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit dhe me shpejtësi të lartë gjatë momentit të përplasjes. Dëshmitarët në vendngjarje raportojnë se goditja ka qenë shumë e fortë dhe i riu ka ndërruar jetë menjëherë.

Haiti Bajramaj është shoqëruar nga policia dhe po mbahet nën hetim për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore.

Ndërkohë, familjarët e Leandro Shametaj janë shprehur të revoltuar për mungesën e reagimit të autoriteteve. Ata thonë se, ndërkohë që trupi i të ndjerit është ende i mbajtur në morg për autopsi, nuk kanë marrë asnjë informacion apo përgjigje nga policia apo institucionet përkatëse.

Grupi hetimor po vazhdon punën për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të të dyshuarit.

“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin H. B., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 28.10.2025, rreth orës 00:15, në bulevardin “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin tip “Porsche”, në gjendje të dehur, është përplasur me motomjetin tip “Trinity”, me drejtues një shtetas të mitur, 17 vjeç, i cili si pasojë, ka ndërruar jetë”, njofton policia.