Presidenti flet për paqe, por edhe për shqetësimet e tij mbi aftësinë mbrojtëse të Kievit
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë dje se vendi i tij duhet të jetë gati për vetëmbrojtje, nëse procesi i paqes me rebelët pro-rusë dështon, duke pohuar, nga ana tjetër, se konflikti në lindje të Ukrainës, nuk mund të zgjidhet ushtarakisht.
Kievi: Shqetësim për humbje të arsenalit
Në një dalje të fundit në TV shtetëror ukrainas, Presidenti Poroshenko gjithashtu ka theksuar se: trupat qeveritare ukrainase kanë pësuar humbje të mëdha në materiale gjatë operacioneve të tyre kundër separatistëve në lindje të vendit. “Është shkatërruar nga 60 deri 65% e teknikës ushtarake”, deklaroi Petro Poroshenko. Pas marrëveshjes për tërheqjen e pjesshme të trupave luftarake të të dy palëve në konflikt dhe të krijimit të zonave tw çmilitarizuara, Ukraina ka tani mundësinë, që t’i rifreskojë njësitë e saj.
Armë nga Perëndimi
Poroshenko theksoi në intervistë se vendi i tij ka nevojë për paqe. Ai vetë do të bëjë gjithçka për të zbatuar planin e paqes, për të cilin është rënë dakord. Por vendi duhet të jetë i gatshëm për opsionin, nëse plani i paqes nuk funksionon. “Për këtë arsye duhet të forcohet ushtria”, tha Presidenti. Ai përmendi premtimet për furnizime me pajisje ushtarake, që kishte marrë në vizitat e tij në SHBA dhe Kanada. Poroshenko theksoi në të njëjtën kohë, se konflikti me rebelët pro-rusë në lindje të vendit, nuk mund të zgjidhet ushtarakisht. Sa më shumë forca ushtarake ukrainase të stacionohen, “aq më shumë trupa ruse do të ketë atje”, tha ai.
Plan prej nëntë pikash
Qeveria ukrainase dhe rebelët ranë dakord më 5 shtator për një armëpushim. Me ndërmjetësimin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSZE) marrëveshja u plotësua në fundjavë, një plan prej nëntë pikësh. Kjo parashikon ndër të tjera krijimin e një zone tampon, në të cilën lejohen armët apo njësitë luftarake. Sipas burimeve ukrainase në fundjavë janë qëlluar disa pozicione të “operacionit antiterror”. Një përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Sigurisë foli për dy ushtarë të vrarë. Armëpushimi që është zyrtarisht në fuqi prej dy javësh, sipas njoftimeve të mediave, respektohet në “republikat popullore” jo të njohura Donjeck dhe Luhansk. Megjithatë ka vazhdimisht incidente, për të cilat palët në konflikt akuzojnë njëra-tjetrën.
Marshimi i Paqes në Moskë
Dy ditë më parë, në Moskë dhjetëra mijë vetë protestuan me një marshim të madh paqësor kundër politikës aktuale të shefit të Kremlinit, Vladimir Putin në Ukrainë. Demonstruesit mbanin në dorë fotografi të ushtarëve rusë të rënë në Ukrainën Lindore. Prania e policisë ishte shumë e madhe dhe nga marshimi mësohet se nuk u shënua ndonjë incident madhor.
Francë
Nicolas Sarkozy kthehet në politikë
Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, po rikthehet në politikë duke kandiduar për postin e kryetarit të partisë së tij të qendrës së djathtë, Bashkimi për Lëvizjen Popullore. Në një intervistë televizive dy ditë më parë, Sarkozy shpjegoi kthimin e tij në politikë, duke thënë se Franca është një nga vendet e pakta ku ka një mungesë të tillë shprese. Ai tha se nuk dëshiron të shohë vendin e tij të dënohet nga perspektiva e një izolimi total, për shkak të rritjes së partisë së krahut të djathtë Fronti Kombëtar. Pritet gjerësisht që Sarkozy të garojë për president në vitin 2017, nëse fiton zgjedhjet e muajit të ardhshëm në partinë e tij konservatore.