Detaje të reja kanë dalë nga operacioni antidrogë në Itali që goditi një organizatë kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, e dyshuar për trafik dhe shpërndarje kokaine në qytetin e L’Aquila-s.
Sipas mediave italiane, në hetim rezulton i përfshirë edhe një i mitur, për të cilin Prokuroria e të Miturve në L’Aquila po zhvillon procedim të veçantë. Ai dyshohet se përdorej nga grupi për prerjen dhe paketimin e dozave të kokainës.
Operacioni çoi në arrestimin e 16 personave dhe masa të tjera sigurie për disa të tjerë, ndërsa në total janë rreth 40 persona nën hetim.
Sipas akuzës, organizata drejtohej nga një 27-vjeçar shqiptar, i identifikuar me inicialet E.S., i cili konsiderohet organizatori kryesor i rrjetit kriminal. Hetuesit thonë se ai koordinonte furnizimin me kokainë, transportin e drogës dhe rrjetin e shpërndarësve në qytet.
Një tjetër shqiptar, 25 vjeç, dyshohet se menaxhonte komunikimet me klientët përmes WhatsApp-it dhe koordinonte shpërndarësit në zona të ndryshme të L’Aquila-s.
Sipas hetimeve, organizata kishte një strukturë të mirëorganizuar, ku secili anëtar kishte rol të caktuar: drejtuesit merreshin me furnizimin, organizatorët me klientët dhe komunikimet, ndërsa shpërndarësit kryenin dorëzimet e drogës.
Droga shitej kryesisht në lagje dhe zona publike të qytetit, përfshirë parkingje, parqe dhe rrugë të frekuentuara. Klientët kontaktonin shpërndarësit në WhatsApp dhe merrnin doza standarde prej 0.40 gramësh me çmim rreth 40 euro.
Hetuesit italianë dyshojnë se organizata ka operuar nga viti 2022 deri në vitin 2025 dhe se aktiviteti kriminal ka gjeneruar fitime shumë të mëdha.
Sipas dosjes hetimore, vetëm nga disa raste të dokumentuara dyshohet se grupi ka siguruar mbi 70 mijë euro të ardhura, ndërsa ndaj një klienteje të vetme janë regjistruar mbi 120 raste shitjeje.
