I penduari i drejtësisë, Erjon Alibej, ka dhënë një dëshmi tronditëse në lidhje me disa ngjarje kriminale, duke pranuar rolin e tij si financues, organizator dhe pjesëmarrës në disa vrasje të bujshme.
Në deklaratën e tij përpara autoriteteve, Alibej ka zbuluar se vrasja e Dorian Shkozës, një prej viktimave të atentatit në Elbasan në vitin 2020, ishte porositur prej tij me qëllimin final për të eliminuar Talo Çelën, një nga emrat më të kërkuar në botën e krimit në Shqipëri.
Erjon Alibej: Jam financues në vrasjen e Dorjan Shkozës. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Besian dhe Viktor Haxhia. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Emiljano Ramazit dhe Regis Runajt. Dhe në vrasjen e Bujar Çelës. Kam qenë i dënuar më parë për trafik droge, në 2010-2011. Për këtë çështje jam arrestuar dhe kam dal nga burgu në 2013. Kemi qenë një grup i dënuar për këtë çështje, mes tyre dhe vëllai im i ndjerë. Vrasjen e Dorjan Shkozës e kërkova sepse me çdo kusht doja Talo Çelën. Nga komunikimi që unë kisha me Nuredninin, unë disa persona nuk i njihja që ishin pjesëtarë në vrasjen e familjarëve të mi. E mësova nga Nuredin Dumani që Dorjan Shkoza ka marrë pjesë në ekzekutimin e familjarëve të mi. Nuredin Dumani me dukej i besuar sepse më korespondonin të dhënat. Nuredini Dumani nuk më tregoi ndonjë dokument për Dorjan Shkozën, por thëniet e tij më bindën. Lidheshin rrethanat, sepse Nuredini më tha kane qenë dy makina. Ndaj familjarëve të mi është qëlluar me dy automjete. Për vrasjen e Anxhelo Avdia e mora vesh përmes televizorit mos gaboj. Nuk kisha dëgjuar më parë për Anxhelo Avdinë. Nuredini më tha që ai ishte pjesë e grupit kundërshtuar, i Talo Çelës. Enchro Chatin e kam përdorur që kur është hedhur në treg. Rreth vitit 2016-2017 e kam nisur përdorimin.