Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar në seancën plenare projektligjin për portet turistike, i cili parashikon dhënien e tyre në kuadër të investimeve strategjike.

Gjatë fjalës së saj, Tabaku theksoi se nisma nuk duhet trajtuar si një çështje thjesht teknike, por si pjesë e një modeli vendimmarrjeje që, sipas saj, ka zëvendësuar konkurrencën me përjashtime dhe interesin publik me favore të përqendruara.

“Problemi nuk është tek formulimi i një neni, por tek logjika mbi të cilën funksionon ky sistem”, u shpreh deputetja, duke shtuar se projektligji është pjesë e një sërë nismash që, sipas opozitës, kanë favorizuar interesa të caktuara.

Sipas Tabakut, përmes këtij ligji formalizohet një praktikë ku investimet strategjike përfitojnë asete publike, lehtësi fiskale dhe akses në infrastrukturë strategjike pa kaluar në procedura konkurruese.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se kjo qasje bie në kundërshtim me parimet e tregut të lirë dhe me angazhimet që Shqipëria ka në procesin e integrimit europian, duke përmendur ndikimin e mundshëm në kapitujt e acquis communautaire dhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Në vijim, deputetja ngriti shqetësime edhe për procedurën e miratimit të projektligjit, duke theksuar se ai është shqyrtuar në një kohë të shkurtër dhe pa një debat të gjerë parlamentar.

Në përfundim, Tabaku theksoi se ekonomia shqiptare ka nevojë për rregulla të qarta dhe konkurrencë të ndershme, ndërsa paralajmëroi se modeli aktual rrezikon të dëmtojë klimën e biznesit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.