Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, dhe eksperti i sigurisë, Faik Basha, kanë ngritur shqetësimin për protestat, të cilat i cilësojnë si organizim të mirëfilltë të akteve të dhunshme dhe përpjekje për destabilizim.
Të ftuar në emisionin “Real Story”, ata theksuan se veprimet e konstatuara nuk janë sporadike, duke nënvizuar rëndësinë e identifikimit të organizatorëve dhe hetimit të plotë të ngjarjeve.
Karamuço deklaroi se për organizatorët mund të ketë pasoja të rënda penale, ndërsa Basha bëri të ditur se hetimet përfshijnë si faktorët e brendshëm, ashtu edhe ata të jashtëm.
Ervin Karamuço: Në polici janë të gjitha dosjet. Nuk po flas për fëmijët, po për organizatorët shkon dënimi deri te burgimi i përjetshëm, këtë e heton SPAK. Sepse ky organizim mund të shkojë deri te organizata terroriste, sepse atë po synojnë. Shikoni Serbinë, bllokuan auditorët, rrugët ama vetëm kaq.
Faik Basha: Gjëja e parë që u bë, ishin që u prishën kamerat dhe semaforët.
Ervin Karamuço: Nuk janë veprime sporadike, por janë të mirë menduara. Këtë ka për detyrim institucionet, të nxjerrin organizatorët, qofshin edhe me sfond politik.
Faik Basha: Kur të reagojnë ndërkombëtarët do të jetë shumë e errët për opozitën. Këtu ka tentativa për të destabilizuar Europën. Është një organizim i mirëfilltë për destabilizim. Policia po heton të gjithë. Edhe ata që nuk janë ndaluar apo arrestuar nga policia, janë duke u hetuar. Po hetohet edhe faktorët e jashtëm edhe ata të brendshëm.
