Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë e ndodhur në Itali, ku 27-vjeçarja shqiptare Ermela Mahmutaj u gjet e pajetë, e lidhur pas një peme.
Sipas mediave italiane, bashkëshorti, me të cilin ajo ishte në proces divorci, ishte i pari që gjeti trupin dhe njoftoi policinë. Me të mbërritur në vendngjarje, hetuesit raportohet se kanë gjetur edhe një shënim vetëvrasjeje nga 27-vjeçarja.
Në letër ishin shkruar vetëm disa rreshta, të cilët nuk janë bërë ende publikë. Megjithatë, letra nuk është marrë si e mirëqenë dhe policia dyshon se ajo mund ta ketë shkruar nën presion, e detyruar nga dikush tjetër. Pista kryesore e hetimeve për momentin është ajo e shtyrjes drejt vetëvrasjes. Kjo nisur dhe nga dëshmitë e njerëzve që e njihnin shqiptaren.
Fqinjët e saj nuk e besojnë se ajo do shkonte drejt vetëvrasjes pasi ishte shumë e lidhur me djali ne saj dhe nuk do linte atë vetëm për asgjë.
“Ermela ishte një person i veçantë, i njohur nga të gjithë për edukimin, gëzimin dhe bujarinë e saj. Ajo ishte thellësisht e lidhur me të birin dhe ai ishte arsyeja e saj e jetës së saj”- shpreh fqinjët.
E njëjta lidhje del në pah nga postimet e Ermelës në rrjetet sociale, një prej të cilave me rastin e ditëlindjes së djalit të saj: “Djali im është rrahja e zemrës sime, arsyeja e çdo frymëmarrjeje time, plotësia ime, shpëtimi im. Thjesht gjithçka ime. Ti do të rritesh deri në atë pikë sa unë nuk do të mund të të mbaj më në krahët e mi, por gjithmonë do të ketë vend për ty në zemrën time”.
Ermela ishte nëna e një 7-vjeçari, nga martesa me bashkëshortin, një zejtar 52-vjeçar, me të cilin ishte në proces divorci.